Nëna pas moshës 40-vjeçare!
Për t’u bërë nënë nuk është kurrë vonë. Jeta dinamike, rritja e jetëgjatësisë, por edhe ndryshimet e mëdha social-ekonomike të viteve të fundit kanë bërë që mosha për t’u bërë nënë të mos jetë më e prerë me thikë. Të lindësh fëmijë për herë të parë mbas moshës 30 vjeç është bërë fare e zakonshme në vendet e industrializuara, por ja që shumë nëna kanë fatin ta provojnë për herë të parë ndjesinë e fëmijës edhe më gjatë, në moshën 40-vjeç.
E fundit që i ka dhënë mirëseardhjen në jetë fëmijës së saj është aktorja e famshme Eva Longoria. Jo pak, 43 vjeç, por asgjë nuk e ndali për të sjellë në jetë një fëmijë të shëndetshëm e të bukur.
Po si është raporti, ç’thonë studimet, kur është mosha perfekte për të sjellë në jetë një fëmijë?
Këtyre pyetjeve, studimet u përgjigjen me mënyra të ndryshme, aq sa jo rrallëherë edhe kundërshtuese me njëra-tjetrën. Por faktet konkrete janë ato që rrëzojnë çdo lloj studimi e hedhin poshtë çdo lloj teorie. Formula nuk ka, as kohë ideale për t’u bërë nënë jo që jo.
Mirë se erdhe mëmësi! Eva Longoria dhe partneri i saj, Jose Baston, pritën në jetë fëmijën e tyre të parë: “Jemi shumë të lumtur dhe të bekuar”, – shkruan ata në njoftimin publik.
Por edhe shumë personazhe të tjerë të njohur kanë pritur në jetë fëmijën e tyre pas moshës 40-vjeçare.
Halle Berry i shokoi të gjithë kur dha lajmin se priste një fëmijë me Olivier Martinez.
Po kështu edhe Gwen Stefani, në moshën 44-vjeçare, me bashkëshortin e saj Gavin Rossdale, solli në jetë djalin e tretë, Apollo Bowie Flynn Rossdale.
Eva Mendes dhe Ryan Gosling pritën në jetë vajzën Esmerelda Amada Gosling. Mendes, në moshën 40-vjeçare tha se nuk mund të ishte më e lumtur se kaq.
Mariah Carey dhe bashkëshorti i saj Nick Cannon u bënë prindër të binjakëve, Morowan and Monroe, në vitin 2011 kur diva e muzikës ishte 42 vjeç.
Nicole Kidman, Celine Dion, por edhe shumë personazhe të tjerë të njohur janë bërë nëna pas të 40-ave dhe kanë qenë njëlloj të lumtura e të bukura si nënat që kanë lindur në të 20-at. Po në këtë listë, ka, natyrisht, edhe shqiptare.
Linda Rama
Bashkëshortja e Kryeministrit Rama është bërë nënë në fund të 40-ave. Korrikun e 2014-ës, Zaho erdhi në jetë pas një shtatzënie të qetë. Pas pak ditësh, ai feston 4-vjetorin e lindjes dhe, siç tregoi vetë mami Linda në finalen e Piter Panit, tani është në fazën e eksplorimit të sendeve e dukurive.
Rudina Xhunga
Gazetarja dhe moderatorja e njohur e ekranit është bërë nënë në prag të 40-ave me një vajzë. Alana ishte një frymëzim për Rudinën, e cila, edhe pas lindjes së saj, jo vetëm që nuk e ndërpreu punën, por u shfaq edhe në formë të shkëlqyer fizike.
Inva Mula
Sopranoja e famshme është bërë nënë për herë të dytë në prag të 50-ave. Në prill të vitit 2012, ajo lindi Ninën nga martesa e dytë me Ethem Ramadanin, më shumë se 15 vjet pas lindjes së Anthony.
Shumica e nënave që sjellin në jetë një fëmijë pas të 40-ave e justifikojnë këtë zgjedhje me një lloj stabiliteti ekonomik, shoqëror, por edhe sentimental. Sot, paragjykimet janë sheshuar, madje janë zëvendësuar me nevojën për të pasur kushte më të mira kur të sjellin në jetë një fëmijë të parë, të dytë apo edhe të tretë./revistaclass