Temperaturat ekstreme ndikojnë në trupin e njeriut në mënyra të ndryshme. Më poshtë janë disa nga sfidat kryesore shëndetësore që lidhen me valët e të nxehtit.
Europa po përgatitet për një valë të re të nxehtësisë së ashpër këtë javë, me temperatura që pritet të kalojnë 40 gradë Celsius në disa pjesë të Italisë, Spanjës dhe Greqisë.
Verërat përvëluese po bëhen gjithnjë e më të zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike – dhe ato mund të jenë të rrezikshme, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Vetëm në vitin 2022, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se afërsisht 62,000 persona humbën jetën për shkak të të nxehtit ekstrem në Europë.
Edhe pse valët e të nxehtit mund të prekin këdo, më të rrezikuar janë personat që punojnë në ambient të hapur, të moshuarit, foshnjat, ata që marrin medikamente të caktuara dhe personat me sëmundje kronike.
Shumica e pasojave të të nxehtit ekstrem janë të parashikueshme dhe të parandalueshme – por është e rëndësishme të njihet rreziku për të marrë masa mbrojtëse. Më poshtë janë pesë mënyra se si të nxehtit ekstrem ndikon në shëndetin tuaj:
- Lodhja dhe goditja nga të nxehtit
Lodhja nga të nxehtit ndodh kur trupi mbinxehet për shkak të humbjes së tepruar të ujit dhe kripërave, zakonisht përmes djersitjes.
Shumica e njerëzve rikuperohen nëse pushojnë në një vend të freskët dhe marrin lëngje. Por nëse personi nuk ftohet brenda 30 minutash, lodhja mund të përparojë në goditje nga të nxehtit – e cila është një emergjencë mjekësore.
Simptomat përfshijnë rrahje të shpejta të zemrës, vështirësi në frymëmarrje, konfuzion, kriza dhe humbje të vetëdijes.
- Përkeqësimi i problemeve ekzistuese shëndetësore
Kur ditët janë përvëluese dhe netët nuk sjellin freski, trupi i njeriut e ka të vështirë të ruajë temperaturën e brendshme, dhe zemra e veshkat punojnë më shumë për të ruajtur ftohtësinë.
Kjo mund të përkeqësojë sëmundjet ekzistuese, si sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe astma.
Sipas OBSH-së, stresi i shkaktuar nga të nxehtit është shkaku kryesor i vdekjeve të lidhura me motin.
Ndërkohë që popullsia evropiane po plaket dhe sëmundjet kronike po bëhen më të zakonshme, rreziqet shëndetësore nga nxehtësia pritet të rriten në vitet në vijim.
- Cilësia e dobët e ajrit
Valët e të nxehtit mund të përkeqësojnë cilësinë e ajrit duke shkaktuar zjarre më intensive dhe duke bllokuar ajrin e ndotur, në atë që shkencëtarët europianë e kanë quajtur një “kombinim vdekjeprurës”.
Ndotja e ajrit përkeqëson sëmundjet e mushkërive si astma dhe rrit rrezikun për sulm në zemër apo tru, për shkak të trashjes së gjakut.
- Shëndeti mendor i dobësuar
Temperaturat e larta mund të shkaktojnë stres, nervozizëm, ankth dhe dobësim të funksioneve mendore, sidomos te personat që tashmë kanë probleme të shëndetit mendor.
Kjo ndodh si pasojë e gjumit të ndërprerë, reagimeve fiziologjike ndaj të nxehtit ekstrem dhe ndjesisë së parehatisë fizike – një kombinim që studiuesit e një rishikimi të vitit 2023 e përshkruan si “tokë fertile për shqetësime psikologjike”.
- Aksidente dhe mbingarkesë në sistemin shëndetësor
Valët e të nxehtit mund të shkaktojnë ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme në transport, gjë që mund të dëmtojë ofrimin e shërbimeve mjekësore – pikërisht në kohën kur nevojiten më shumë.
Stresi nga nxehtësia gjithashtu ndikon negativisht në përqendrimin dhe gjykimin e njerëzve, sipas Autoritetit Suedez për Mjedisin e Punës. Kjo rrit rrezikun për aksidente në trafik apo në vendin e punës, veçanërisht për ata që punojnë jashtë. /Gazeta Shneta/


