Studiuesit vlerësojnë se më shumë se 10 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me verbëri korneale të shkaktuar nga sëmundjet ose dëmtimet e kornesë së syrit.
Një nga këto sëmundje është deficienca unilaterale e qelizave burimore limbike (LSCD), e cila shkaktohet nga dëmtime të caktuara dhe mund të çojë në humbje të shikimit, shkruan burimi Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Një provë klinike e re po teston një trajtim të mundshëm me qeliza burimore për LSCD.
Sipas studiuesve, 50% e pjesëmarrësve të trajtuar përjetuan rikuperim të plotë të kornesë pas 3 muajsh.
Çfarë është LSCD dhe si ndikon në shikim?
Kornea është shtresa e jashtme transparente në pjesën e përparme të syrit dhe është thelbësore për një shikim të qartë, pasi siguron rreth 75% të fuqisë totale të fokusimit të syrit.
LSCD ndodh kur ka mungesë të qelizave burimore limbike, të cilat zakonisht rigjenerojnë kornen sipas nevojës. Kjo mungesë mund të shkaktojë: dhimbje të syrit, shikim të turbullt dhe humbje të shikimit.
Mes tjerash, LSCD mund të shkaktohet nga dëmtime të ndryshme të kornesë, përfshirë djegiet e sipërfaqes okulare, dëmtimet kimike dhe përdorimin e lenteve të kontaktit.
Trajtimet aktuale për LSCD përfshijnë:
– Transplante të qelizave burimore limbike.
– Pastrimin kirurgjik të kornesë.
– Aplikimin e membranave amniotike.
Dr. Ula Jurkunas, drejtoreshë e shërbimit të kornesë në ‘Mass Eye and Ear’ dhe profesoreshë e oftalmologjisë në Harvard Medical School, shpjegoi për Medical News Today se:
Trajtimet e tanishme për mungesën e qelizave burimore limbike kanë disa probleme. Për të marrë këto qeliza, ndonjëherë dëmtohet edhe syri i shëndetshëm. Për më tepër, këto trajtime nuk janë gjithmonë efektive. Për këtë arsye, pacientët nuk mund të bëjnë transplant të kornesë (që është trajtimi kryesor), dhe shpesh mbeten të verbër në syrin e prekur dhe me dhimbje të forta.
Jurkunas është drejtuesja kryesore e provës klinike që po teston një trajtim të ri me qeliza burimore për LSCD.
Ajo është gjithashtu autore kryesore e një studimi të botuar së fundmi në revistën “Nature Communications”, i cili raportoi se 50% e pjesëmarrësve të trajtuar patën rikuperim të plotë të kornesë brenda 3 muajsh. /Gazeta Shneta/


