Disa sasi të qumështit për foshnje Aptamil janë tërhequr në mënyrë parandaluese nga tregu në Kosovë, pas një njoftimi për praninë e toksinës cereulide në këto produkte.
Sipas njoftimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Kosovës, bëhet fjalë për formulat për foshnje Aptamil 1 dhe Aptamil 2 në paketim 830 gramë, të prodhuara nga kompania Nutricia Cuijk B.V. në Holandë.
Nga AUV bëjnë të ditur se njoftimi është pranuar përmes Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), pasi analizat laboratorike në Bashkimin Evropian kanë konstatuar tejkalim të kufijve të lejuar të toksinës cereulide në disa produkte të kësaj formule për foshnje.
Sipas AUV-së, në tregun e Kosovës janë importuar sasi shumë të kufizuara të këtyre produkteve më 19 janar 2026 nga një operator ekonomik i autorizuar.
Pas pranimit të njoftimit, inspektorët e AUV-së kanë kryer kontrolle në terren më 9 mars 2026 dhe kanë urdhëruar tërheqjen e produkteve nga tregu. Nga verifikimet është konstatuar se produktet nuk kanë qenë në shitje, por ndodheshin të bllokuara në depo dhe janë në procedurë asgjësimi./Gazeta Shneta/




