Një test i avancuar gjenetik po shihet si një hap i rëndësishëm drejt ndryshimit të mënyrës së trajtimit të kancerit të gjirit, duke hapur mundësinë që mijëra paciente të mos kenë nevojë për kimioterapi dhe efektet e saj të rënda anësore.
Sipas një studimi të ri ndërkombëtar, i raportuar nga The Guardian, analiza e aktivitetit të gjeneve brenda tumorit mund t’u ndihmojë mjekëve të kuptojnë më saktë sjelljen biologjike të kancerit, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Shneta.
Në këtë mënyrë, mund të identifikohen pacientet që kanë rrezik të ulët për rikthim të sëmundjes dhe që mund të trajtohen vetëm me terapi hormonale, pa kimioterapi agresive.
Studiuesit theksojnë se kjo qasje përfaqëson një përparim të madh në fushën e mjekësisë së personalizuar, ku trajtimi nuk është më i njëjtë për të gjitha pacientet, por përshtatet sipas profilit gjenetik të secilës grua dhe karakteristikave specifike të tumorit.
Sipas ekspertëve, shmangia e kimioterapisë te pacientet që nuk kanë nevojë për të mund të sjellë përfitime të mëdha në cilësinë e jetës, duke reduktuar efektet anësore si lodhja e theksuar, rënia e flokëve, dobësimi i imunitetit dhe komplikimet afatgjata shëndetësore.
Përveç përfitimeve klinike, studiuesit theksojnë se përdorimi më i saktë i terapive mund të ulë edhe kostot e trajtimit për sistemet shëndetësore, duke e bërë trajtimin më efikas dhe më të qëndrueshëm në afat të gjatë.
Ekspertët e konsiderojnë këtë zhvillim si një nga shembujt më të qartë të kalimit drejt “mjekësisë së saktë”, ku vendimet terapeutike bazohen gjithnjë e më shumë në të dhëna biologjike individuale sesa në protokolle standarde. /Gazeta Shneta/


