Studiuesit në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusets kanë zhvilluar një test gjaku që ekzaminon mbi 200 proteina për të vlerësuar shkallën biologjike të plakjes së një individi.
Sipas hulumtimit, testi – i zhvilluar duke përdorur mësimin makinerik – mund të parashikojë gjasat e një personi për të zhvilluar 18 sëmundje të rëndësishme të lidhura me moshën dhe rrezikun e tyre për vdekje të hershme nga çdo shkak, raporton Health News përcjell Gazeta Shneta.
Studimi ndihmon për të shpjeguar mekanizmat biologjikë të përfshirë në sëmundje të ndryshme të lidhura me moshën, duke përmirësuar të kuptuarit se si gjenetika dhe faktorët mjedisorë ndikojnë në plakje.
Hulumtimi i ri i publikuar në “Nature Medicine”, sugjeron se proteoma mund të jetë një tregues më i saktë i moshës biologjike të një personi.
Proteoma i referohet të gjithë koleksionit të proteinave të prodhuara nga një organizëm.
Qëllimi i hulumtimit ishte të përcaktonte nëse shkencëtarët mund të krijonin një “orë proteomike të plakjes” që do të ndihmonte në parashikimin e rrezikut të sëmundjeve të zakonshme të lidhura me moshën.
Duke përdorur të dhënat e proteomës, është e mundur të vlerësohet më saktë plakja duke krahasuar funksionin biologjik të një individi me atë që pritet për moshën e tij kronologjike.
Studiuesit analizuan një kampion të madh të dhënash nga 45,441 pjesëmarrës të moshës 40-70 vjeç nga Biobank në Mbretërinë e Bashkuar.
Ata e vërtetuan këtë model në dy biobanka shtesë të të dhënave: 3,977 pjesëmarrës të moshës 30-80 vjeç nga China Kadoorie Biobank dhe 1,990 pjesëmarrës të moshës 20-80 vjeç nga biobanka FinnGen në Finlandë.
Ata identifikuan 204 proteina që parashikojnë me saktësi moshën kronologjike.
Mes tjerash, gjithashtu vunë në dukje një grup prej 20 proteinash të lidhura me plakjen që ruajtën 91% të saktësisë së parashikimit të moshës nga modeli më i madh.
Ata zbuluan se vlerësimi i tyre i plakjes proteomike mund të lidhet me shfaqjen e 18 sëmundjeve kryesore kronike, duke përfshirë sëmundjet e zemrës, mëlçisë, veshkave dhe mushkërive, diabetin, gjendjet neurodegjenerative si Alzheimer, kanceri, si dhe multimorbiditetin dhe rrezikun e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet. /Gazeta Shneta/


