Një studim i ri ka zbuluar se testet e gjakut për zbulimin e kancerit të prostatës mund të ulin rrezikun e vdekjes nga kjo sëmundje me 13%.
Kërkimi, i publikuar në New England Journal of Medicine, përfshiu mbi 162 mijë burra të moshës 55 deri në 69 vjeç nga shtatë shtete evropiane, të cilët u ndoqën për më shumë se dy dekada.
Rezultatet treguan se për çdo 456 burra që u ftuan për testim, një jetë u shpëtua, ndërsa çdo 12 diagnoza me kancer të prostatës çuan në një jetë të shpëtuar, shkruan Euronews trasnemton gazeta Shneta.
Testi mat nivelin e antigjenit specifik të prostatës (PSA) në gjak – dhe në rast të rezultateve jonormale, rekomandohen analiza shtesë dhe biopsi për konfirmimin e diagnozës.
Ekspertët theksojnë se megjithëse testet PSA mund të ndihmojnë në shpëtimin e jetëve, ekziston rreziku i diagnozave të tepërta, sidomos për forma të lehta të kancerit që mund të mos shkaktojnë pasoja serioze.
Sipas Ben Lamb, udhëheqës i departamentit të onkologjisë urologjike në një spital në Londër, përfitimet nga testimi “marrin shumë vite për t’u shfaqur, për shkak të natyrës së ngadalshme të zhvillimit të kësaj sëmundjeje.”
Kanceri i prostatës mbetet një nga format më të zakonshme të kancerit tek burrat, me rreth 330 mijë raste të reja vetëm në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2022.
Studiuesit kërkojnë që strategjitë e ardhshme të testimit të përmirësojnë balancën mes zbulimit të hershëm dhe rrezikut të mbidiagnozimit./Gazeta Shneta/


