Testi PSA mat nivelin e antigjenit specifik të prostatës në gjakun e burrave dhe përdoret gjerësisht si mjet për zbulimin e hershëm të kancerit. Në rast se rezultatet janë të pazakonta, mjekët rekomandojnë biopsi dhe ekzaminime shtesë për të konfirmuar diagnozën.
Studimi i publikuar në “New England Journal of Medicine”, filloi në vitin 1993 dhe kishte për qëllim të vlerësonte ndikimin afatgjatë të testeve PSA në Evropë. Fillimisht u përfshinë Holanda dhe Belgjika, ndërsa më pas studimi u zgjerua në Francë, Finlandë, Itali, Spanjë, Suedi dhe Zvicër.
Në total, më shumë se 162,000 burra të moshës 55–69 vjeç morën pjesë në hulumtim dhe u ndanë në dy grupe: njëri u ftua rregullisht për teste PSA, ndërsa grupit tjetër nuk iu ofrua testim sistematik.
Pas një periudhe mesatare ndjekjeje prej 23 vjetësh, rezultatet treguan se burrat që iu nënshtruan testimit u diagnostikuan më shpesh me kancer të prostatës.
Megjithatë, rreziku i vdekjes nga kjo sëmundje ishte 13% më i ulët krahasuar me grupin që nuk u testua, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Sipas studiuesve, një jetë u shpëtua për çdo 456 burra të ftuar për testim ose për çdo 12 burra të diagnostikuar me kancer të prostatës.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se testimi masiv ka edhe anë negative. Disa forma të kancerit të prostatës rriten shumë ngadalë dhe nuk shkaktojnë probleme serioze gjatë jetës së pacientit.
Zbulimi i tyre mund të çojë në ankth, trajtime të panevojshme dhe efekte anësore të rënda, si disfunksioni erektil ose problemet urinare.
Duke qenë se kanceri i prostatës është ndër format më të zakonshme të kancerit në botë dhe rastet pritet të rriten në dekadat e ardhshme, autorët e studimit sugjerojnë që strategjitë e testimit të balancojnë përfitimet e zbulimit të hershëm me minimizimin e rrezikut të diagnozës dhe trajtimit të tepërt. /Gazeta Shneta/


