Tetë muaj pritje për një ekzaminim me rezonancë magnetike

2017-04-28 në ora 08:07

Minimumi tetë muaj duhet pritur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për të kryer një rezonancë magnetike.

Kjo për shkak të kërkesave të mëdha për t’u ekzaminuar me aparaturën e vetme që e ka në posedim sistemi publik shëndetësor.

Drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë Serbeze – Muçaj ka thënë për rtklive.com se radhët e pritjes janë të gjata për rastet jo emergjente, raporton rtklive.com

Kjo, sipas saj, për shkakun se Shërbimi Klinik Spitalor Universitar i Kosovës ka vetëm një rezonancë magnetike dhe kërkesat për ekzaminime me këtë aparaturë janë të mëdha.Gjatë një dite, sipas Kabashi- Muçajt aty ekzaminohen prej 35 deri në 40 pacientë.

Rezonanca, sipas saj, punon në dy turne, mirëpo kërkesat janë të mëdha.

Drejtoresha Kabashi-Muçaj thotë se rastet emergjente kryhen derisa pacientët e hospitalizuar iu caktohen termine për rezonancë gjatë ditëve të javës, raporton rtklive.com.

Deputeti Nehat Baftiu, ish drejtor i Mjekimit Intensiv në QKUK ka thënë për rtklive.com se blerja e një aparature të rezonancës magnetike është domosdoshmëri, pasë parasysh kërkesat.

Ai ka thënë se këtë çështje do ta ngris edhe në një nga seancat e Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që pacientët të mund të kryejnë këtë shërbim në sektorin publik.

Ndryshe, një ekzaminim me rezonancë magnetike në klinikat private kushton rreth 200 euro, kurse çmimi është edhe më i lartë nëse ajo kryhet me kontrast dhe duke iu nënshtruar anestezionit.

Curr Gjocaj drejtor i SHSKUK-së ka thënë se nevoja për një rezonancë magnetike është imediate. Ai ka thënë se Qeveria ka miratuar në parim një buxhet për blerjen e aparaturave në bazë të kërkesave të radiologjisë.

Gjocaj ka thënë se në përgjithësi problem sa i përket aparaturave mjekësore vazhdon të jetë vjetërsia e tyre.