Një studim i publikuar në “Journal of Psychosomatic Research”, sugjeron se disa tipare të personalitetit mund të parashikojnë sa gjatë mund të jetojmë. Duke analizuar të dhënat e 22,000 njerëzve dhe duke ndjekur mortalitetin gjatë një periudhe 6–28 vjeçare, studiuesit zbuluan se përshkrimi që njerëzit i bëjnë vetes lidhet drejtpërdrejt me shëndetin dhe jetëgjatësinë e tyre.
Tradicionalisht, personaliteti matet me modelin “Big Five” (Hapja, Ndërgjegjshmëria, Ekstraversioni, Pajtueshmëria dhe Neuroticizmi). Por ky studim i detajoi më tej këto kategori, duke shqyrtuar secilin tipar në mënyrë më të hollësishme. Rezultati tregoi se parashikimi i jetëgjatësisë bëhet dyfish më i saktë kur përdoren tiparet e personalitetit, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Personat që e përshkruanin veten si aktivë kishin 21% më pak gjasa të vdisnin gjatë periudhës së studimit.
Po ashtu, të qenit i organizuar, përgjegjshëm, i dobishëm dhe punëtor lidhej me jetë më të gjatë. Ndërkohë, ata që e konsideronin veten të ankthshëm apo të paqëndrueshëm emocionalisht kishin rrezik më të lartë.
Sipas ekspertëve, këto tipare ndikojnë në mënyrën se si kujdesemi për veten, qoftë përmes mbajtjes së rutinave të shëndetshme apo aftësisë për të përballuar stresin.
Por tiparet e personalitetit nuk janë të pandryshueshme. Sipas psikologut John Francis Leader, ato mund të evoluojnë falë përpjekjeve individuale ose mbështetjes nga komuniteti.
Studiuesit shpresojnë se në të ardhmen, testet e personalitetit të personalizuara, të kombinuara me mjetet e inteligjencës artificiale, mund të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve mendore dhe në ofrimin e kujdesit shëndetësor më të përshtatur.
Megjithatë, kërkohen ende hulumtime shtesë përpara se këto rezultate të përdoren gjerësisht në praktikë. /Gazeta Shneta/


