Prodhuesi zviceran i ilaçeve Novartis ka njoftuar se do të kërkojë shpejt miratimin e ilaçit të ri GanLum, pas rezultateve premtuese të një studimi të avancuar që treguan efektivitet të lartë kundër malaries.
Ilaçi eksperimental mund të ndihmojë në luftën kundër rezistencës në rritje ndaj trajtimeve ekzistuese, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Në provën klinike, GanLum funksionoi po aq mirë sa trajtimet aktuale, por tregoi efikasitet të lartë edhe ndaj llojeve të mutacioneve rezistente.
Studimi përfshiu rreth 1,700 pacientë në 12 vende afrikane; pas katër javësh, 85.3% e pacientëve që morën GanLum nuk kishin më simptoma apo parazitë, krahasuar me 82.1% në grupin me trajtim standard. Kjo përkthehet në një normë shërimi prej 99.2% për GanLum, kundrejt 96.7% të trajtimit tradicional.
Sipas Dr. Abdoulaye Djimdé nga Universiteti i Bamakos, ilaçi i ri mund të përfaqësojë “përparimin më të madh në trajtimin e malaries në dekada”.
Ai paralajmëroi se rezistenca ndaj barnave është një kërcënim serioz për Afrikën, ku ndodhin shumica e 263 milionë rasteve dhe 597,000 vdekjeve të regjistruara globalisht në vitin 2023.
GanLum përbëhet nga dy komponime të reja, ndryshe nga terapia aktuale me bazë artemisinine (ACT), ndaj së cilës janë vërejtur shenja rezistence në vende si Ruanda, Uganda dhe Eritrea.
Kompania Novartis ka njoftuar se GanLum “ka potencialin të trajtojë sëmundjen dhe të bllokojë transmetimin”.
Megjithatë, ekspertët kërkojnë më shumë të dhëna për efektin e tij ndaj formave të rënda të sëmundjes. /Gazeta Shneta/


