Papunësia në Kosovë ka qenë dhe mbetet një fenomen i dukshem në të gjitha fushat pa dallim.
E me një problem të tillë po përballet edhe specialisti i endokrinologjisë, dr.Labinot Morina i cili tash e një vit është i papunë, ndonëse në kohën kur ai filloi specializimin nevoja për endokrinolog ishte e madhe.
Sipas Morinës kërkesat dhe ankesat drejtuar personave zyrtar që janë në krye të institucioneve shëndetësore, kanë qenë të vazhdueshme.
“Arsyetimi që kemi marre nga Ministria e Shëndetësisë është që Spitali i Pejës nuk mundet me marrë endokrinolog se kjo është vetëm terciar, për QKUK. Por ne kur i kemi marrë specializimet para gjashtë viteve, referencat i kemi pasur në Spitalet Regjionale”, u shpreh ai.
Tutje Morina thekson se në kohën kur ai kishte filluar specializimin, spitali rajonal kishte bërë kërkesë për endokrinolog dhe kjo kërkesë ishte miratuar. Andaj shqetësuese për Morinën është fakti që nga përfundimi i specializimit ai së bashku me kolegë tjerë janë të papunë.
“Tash na është thënë ndryshe, që punësimi ynë mund të ndodh vetëm në QKUK dhe jo në spitalet regjionale”, shtoi ai.
Ndër të tjera ai tregon që gjatë javës tjeter u është premtuar që do të kenë një takim me drejtorin e ShSKUK-së dr.Valbon Krasniqi.
Gjithsesi Morina nuk është i vetmi i cili ka mbetur i papunë qe nga përfundimi i specializimit, me një problem të tillë janë duke u perballë edhe koleget e tij, Teuta Mulla dhe Albijona Dajaku nga Mitrovica./Gazeta Shneta/




