Një trend i ri që po qarkullon në rrjetet sociale ka shkaktuar debat dhe habi: “menstrual masking”, praktikë ku gratë vendosin gjakun menstrual në fytyrë si maskë bukurie. Hashtaget si #periodfacemask kanë mbledhur miliarda shikime, ndërsa shumë përdoruese e përshkruajnë këtë ritual si “shërues” ose “fuqizues”.
Por çfarë thotë shkenca?
Ekspertët theksojnë se nuk ka asnjë provë klinike që gjaku menstrual mund të përmirësojë lëkurën. Edhe pse përbërja e tij ka vlera biologjike – përfshirë proteina dhe molekula që ndihmojnë rigjenerimin e indeve – këto rezultate janë vërejtur vetëm në kushte laboratorike, jo kur aplikohet drejtpërdrejt në fytyrë.
Studiuesit kanë zbuluar se plazma e menstruacioneve mund të përshpejtojë shërimin e plagëve në eksperimente laboratorike, ndërsa qelizat staminale të gjakut menstrual (MenSCs) po studiohen për trajtime mjekësore të lëkurës dhe plakjes, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, këto aplikime kërkojnë kushte sterile, të kontrolluara, dhe nuk kanë lidhje me praktikat shtëpiake që shihen në TikTok.
Dermatologët paralajmërojnë për rreziqe të qarta. Ndryshe nga procedurat profesionale si “vampire facial”, që kryhen me pajisje sterile dhe plazmë të përpunuar, gjaku menstrual përmban përzierje gjaku, indi, hormone, sekrecione vaginale dhe baktere që mund të shkaktojnë infeksione, veçanërisht nëse ka çarje të lëkurës. Po ashtu, ekziston rreziku i transmetimit të infeksioneve seksualisht të transmetueshme.
Praktika të tjera të ngjashme si “urine therapy” – përdorimi i urinës në lëkurë – gjithashtu nuk kanë mbështetje shkencore, pavarësisht pretendimeve në rrjete sociale.
Ekspertët theksojnë se menstrual masking është më shumë ritual personal dhe simbolik, sesa metodë e sigurt bukurie.
Ndërsa studimet mbi përbërësit biologjikë të gjakut menstrual vazhdojnë, përdorimi i tij në fytyrë në kushte shtëpie mbetet praktikë e pasigurt dhe pa bazë shkencore./Gazeta Shneta/


