Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që synon uljen e çmimeve të barnave me recetë në SHBA, duke i lidhur ato me çmimet më të ulëta ndërkombëtare për të njëjtin produkt.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump tha se politika e re do të ulë çmimet nga 30% deri në 80%, dhe do të sjellë, sipas tij, “drejtësi për Amerikën” për herë të parë pas shumë vitesh, transmeton Gazeta Shneta.
Trump e quajti këtë qasje si “Politika e shtetit më të favorizuar”, duke iu referuar një rregulli të Organizatës Botërore të Tregtisë që synon barazi në tregtinë ndërkombëtare dhe ndalon diskriminimin mes vendeve partnere.
Sipas tij, ulja e çmimeve në SHBA do të balancohet me rritje të mundshme të tyre në vende të tjera, për të barazuar çmimet globale të barnave.
Urdhri pritet të nënshkruhet të hënën në mëngjes, ndërsa detaje të mëtejshme për zbatimin e kësaj politike nuk janë bërë ende publike nga Shtëpia e Bardhë./Gazeta Shneta/




