Një studim i ri nga Universiteti i Kembrixhit, i botuar në “Nature Communications”, tregon se truri i njeriut zhvillohet në pesë faza të dallueshme gjatë gjithë jetës. Këto faza, të quajtura epoka, ndahen nga katër pika kyçe në moshat 9, 32, 66 dhe 83-vjeç.
Sipas burimit Medical News Today, ky studim analizon ndryshimet në organizimin dhe elasticitetin e trurit — aftësinë për t’u rindërtuar duke krijuar lidhje të reja sinaptike transmeton Gazeta Shneta.
Pesë fazat e zhvillimit të trurit sipas studimit janë:
Fëmijëria (0–9 vjeç): Truri heq lidhjet sinaptike të panevojshme ndërsa fëmijët mësojnë dhe rilexojnë botën rreth tyre. Është periudhë e rritjes së shpejtë, por jo e efikasitetit të lartë.
Adoleshenca (9–32 vjeç): Studimi zgjeron përkufizimin e adoleshencës deri në moshën 32 vjeç. Ky është stad i elasticitetit më të madh, ku lidhjet e reja formohen më lehtë. Gjithashtu, është periudha kur shfaqen më shpesh çrregullimet mendore.
Të rriturit (32–66 vjeç): Epoka më e gjatë. Efikasiteti i trurit fillon të ngadalësohet, por kjo fazë karakterizohet nga qëndrueshmëria më e madhe.
Plakja e hershme (66–83 vjeç): Strukturat e trurit fillojnë të ndryshojnë; disa zona bashkëpunojnë më fort, ndërsa funksionimi global mund të bëhet më pak i koordinuar. Kjo është periudhë e rritjes së rrezikut për demencë dhe sëmundje kardiovaskulare.
Plakja e vonë (83+): Ngjan me plakjen e hershme, por ndryshimet strukturore përshpejtohen.
Studimi bazohet në analizën e 4,216 skanimeve të trurit të personave nga foshnjëria deri në 90 vjeç, duke treguar se pjekuria e plotë e trurit mund të arrihet vetëm pas moshës 30 vjeç — shumë më vonë nga sa mendohej më parë. /Gazeta Shneta/


