Një mikrobiologe është denoncuar se nuk punon sipas kontratës në Institutin Regjional në Mitrovicë, por në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik. Nga IKSHPK kanë sqaruar se doktoresha ka ndihmuar gjatë pandemisë ndërsa është rikthyer në Mitrovicë
Dr. Afërdita Kuqi-Hyseni është denoncuar në Inspektoratin e Punës me pretendimin se nuk është duke ushtruar profesionin e saj si mikrobiologe sipas kontratës që ka me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, shkruan Gazeta Shneta.
Sipas këtij denoncimi që ka arritur edhe në adresë të Gazetës, thuhet se Kuqi-Hyseni, e cila është bashkëshortja e deputetit të LVV-së Driton Hyseni, ka punuar në IKSHPK ndërsa vendin e punës sipas kontratës e ka pasur në Institutin Regjional në Mitrovicë.
“Aktualisht Instituti në Mitrovicë është duke funksionuar pa mikrobiolog duke pasur parasysh qe mikrobilogu është i pensionuar. Andaj duke dashur që të gjithë mjeket të jenë në shërbim të qytetarëve dhe të funksionojmë për aty ku jemi punësuar, duke pasur parasysh që asnjë laborator mikrobiologjik nuk mundet të funksionoj pa specialistin e mikrobiologjisë kërkojmë që kjo çëshjte të sanohet dhe dr. Aferdita Kuqi të transferohet në institucionin për ku është edhe pranuar për t’i kryer detyrat e mikrobiologes”, thuhet në këtë denoncim.
Por ndryshe kanë deklaruar nga IKSHPK. Azem Geci, Drejtor i Departamentit të Administratës ka thënë se Kuqi-Hyseni ka kryer shërbime mikrobiologjike në mënyrë të vazhdueshme për QRSHP Mitrovicë sipas kontratës që ka me IKSHPK. Por sipas tij, në disa raste ka ndihmuar IKSHPK-në gjatë pandemisë.
“Në disa raste të ngarkesës shtesë me punë në IKSHPK Prishtinë, si gjatë periudhës kohore të pandemisë me COVID 19 kur ka treguar përkushtim madhor profesional, Dr Kuqi Hyseni ka kryer shërbime diagnostike në Prishtinë por pa cenuar ofrimin e shërbimeve mikrobiologjike në QRSHP Mitrovicë pasi që ka pasur specialiste të Mikrobiologjisë në punë. Dr Kyqi Hyseni ka qenë në pushim vjetor gjatë këtyre tri javëve të fundit për të cilën periudhë kohore pozita e saj në QRSHP Mitrovicë është zëvendësuar me specialist të Mikrobiologjisë nga IKSHPK Prishtinë. Dr Kuqi Hyseni sot është rikthyer në punë dhe vazhdon kryerjen e shërbimeve mikrobiologjike në QRSHP Mitrovicë”, ka Geci. /Gazeta Shneta/




