Ushtruesi i Detyrës i Drejtorit të Klinikës së Kardiokirurgjisë ka bërë kërkesë që t’i lejohet provimi për rilicencim specialistik në lëminë e Kardiokirurgjisë, por pak ditë pasi iu aprovua provimi, procesi u kthye në pikën zero.
Kështu ka marrë vesh lajmi.net, teksa ka siguruar edhe vendimin e Komisionit për Licencim të Odës së Mjekëve të Kosovës të cilët ia kanë aprovuar kërkesën e tij për provim për rilicencim specialistik, shkruan lajmi.net.
Komisioni i themeluar për organizimin e provimit të rilicencimit ka qenë i përbërë nga Dr. Shukrije Statovci, Mr Sci – kryetare e Komisionit, Dr. Xheladin Rizani, Specialist i Kardiokirurgjisë – anëtar dhe Dr. Edmond Haliti, Specialist i Mjekësisë Interne – Kardiokirurgjisë – anëtar.
Por, ajo që ka bërë që ky proces të kthehet në pikën zero është se anëtarët e Komisionit të themeluar nuk i plotësojnë kriteret e Rregullores për Regjistrim, Licensim dhe Rilicencim të Mjekëve në OMK.
Rregullorja e lartpërmendur potencon se për rilicencimin e mjekut i cili nuk përmbush kriteret e EVP për rilicencim, respektivisht që nuk ka grumbulluar 100 pikë përmes aktiviteteve, obligohet t’i nënshtrohet Provimit për rilicencim.
Lajmi.net ka marrë vesh që së paku njëri nga anëtarët e Komisionit të themeluar nuk i plotëson kushtet të cilat përcaktohen me Rregulloren e OMK-së për rilicencim e që thotë se anëtarët e Komisionit duhet të jenë me thirrje akademike/shkencore të fushës gjegjëse apo specialistë të fushës, me përvoje punë mbi 10 (dhjetë) vjet.
Bëhet fjalë për Dr. Xheladin Rizani i cili ka përfunduar specializimin në vitin 2018, do të thotë nuk i ka as pesë vite përvojë. Ndërsa kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka konfirmuar informacionet e lajmi.net se Komisioni nuk plotëson kriteret dhe ka thënë se procesi për këtë arsye është kthyer në pikën zero.
Ai në një përgjigje për lajmi.net është shprehur se për shkak se Komisioni nuk i ka plotësuar kriteret, procesi është ndalë deri të gjendet alternativa dhe i njëjti nuk është licencuar.
“Pikërisht për shkak të kësaj se në kardiokirurgji nuk ka përmbi 10 vite dhe për shkak të kësaj, procesi është ndalë deri të gjendet alternativa. Nuk është rilicencuar.”, ka thënë Sejdiu për lajmi.net.
Më tutje, ai ka thënë se ka qenë vet Sejdiu që e ka ndërprerë këtë proces dhe e ka kthyer në pikën zero derisa të gjendet alternativë.
Është procesverbali që është dërguar dhe pikërisht ajo është ndërprerë nga ana ime, derisa të gjendet alternativë.
“Duhet me gjetë dikë, tituj akademik në kardiokirurgji nuk ka fare. Një person që i ka më shumë se 10 vjet edhe ai është në sektorin privat dhe ai nuk po lajmërohet, nëse ai nuk lajmërohet, duhet ta marrim nga jashtë. E gjithë procedura është kthyer në pikën zero.”, konfirmoi Sejdiu për lajmi.net.
Ani pse ky proces është kthyer në pikën zero, ajo që mbetet shqetësuese është, se është tentuar që nëpërmjet një Komisioni që nuk i plotëson kriteret të jepet një rilicencim në një klinike të ndjeshme si ajo e kardiokirurgjisë.
Megjithatë, tani që procesi është kthyer në pikën zero, mbetet të shihet se cilët do të jenë hapat që do të ndërmerren në çështjen e rilicencimit të dr. Brahimajt dhe çfarë do të ndodh me Komisionin. /Lajmi.net/