Autoritetet e Ugandës vendosën të shtunën një bllokim udhëtimesh në dy rrethe të goditura nga Ebola, si pjesë e përpjekjeve për të ndaluar përhapjen e sëmundjes ngjitëse.
Masat e shpallura nga Presidenti Yoweri Museveni, nënkuptojnë se banorët e rretheve qendrore të Ugandës të Mubende dhe Kassanda nuk mund të udhëtojnë brenda ose jashtë atyre zonave me mjete private ose publike, shkruan Medical Xpress transmeton Gaztea Shneta.
Të gjitha vendet argëtuese, përfshirë baret, si dhe vendet e adhurimit janë urdhëruar të mbyllen, dhe të gjitha varrosjet në ato rrethe duhet të mbikëqyren nga zyrtarët shëndetësorë, tha ai.
“Këto janë masa të përkohshme për të kontrolluar përhapjen e Ebolës”, tha Museveni.
Ebola ka infektuar 58 njerëz në vendin e Afrikës Lindore që nga 20 shtatori, kur autoritetet deklaruan një shpërthim.
Të paktën 19 persona kanë vdekur, përfshirë katër punonjës shëndetësorë.
Autoritetet e Ugandës nuk ishin të shpejtë në zbulimin e shpërthimit, i cili filloi të infektonte njerëzit në një komunitet bujqësor në muajin gusht si “sëmundja e çuditshme” e përshkruar nga autoritetet lokale.
Ebola, e cila manifestohet si një ethe hemorragjike virale, mund të jetë e vështirë të zbulohet në fillim, sepse ethet janë gjithashtu një simptomë e malaries.
Mes tjerash, ebola përhapet përmes kontaktit me lëngjet trupore të një personi të infektuar ose materiale të kontaminuara.
Simptomat përfshijnë ethe, të vjella, diarre, dhimbje muskulore dhe nganjëherë gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme.
Ebola u shfaq për herë të parë në vitin 1976 në dy shpërthime të njëkohësishme në Sudanin e Jugut dhe Kongo, ku ndodhi në një fshat pranë lumit Ebola, pas së cilës sëmundja mori emrin. /Gazeta Shneta/




