Mbi 20% e popullatës në botë mendohet se përjeton urtikari të paktën një herë në jetë. Kështu ka bërë të ditur alergoimunologia e QKUK-së, Dr. Haxhere Bullaku.
Dr. Haxhere Bullaku shprehet se urtikaria është një nga sëmundjet më të shpeshta të lëkurës, e cila shkaktohet nga reaksione alergjike, shkruan Gazeta Shneta.
“Urtikaria paraqitet me puçrra të vogla në lëkurë, të cilat shoqërohen me kruarje të madhe dhe më pas edhe me një ndjesi djegieje shumë të fortë,” shpjegon ajo.
Dr. Bullaku sqaron se urtikaria mund të shfaqet e vetme ose e shoqëruar me simptoma të tjera më serioze, si angioedema – një ënjtje e thellë e indeve të dermës që shkakton probleme më të mëdha.
“Nëse urtikaria shoqërohet me simptoma të tjera, mund të çojë në vështirësi në frymëmarrje apo hipotension, gjendje që është kërcënuese për jetën e pacientit,” thekson Dr. Bullaku.
Sa i përket shkaqeve, ajo shpjegon se më të zakonshmet janë alergjitë nga ushqimet.
“Kur pacienti ka alergji nga qumështi, veza, arrat, lajthiat (nuts), apo nga kontaktet me polen – si te pemët sezonale si molla e gjelbër, pjeshka apo dredhëza – mund të paraqitet urtikaria,” u shpreh ajo.
Tutje Dr. Bullaku shton se urtikaria e lehtë zakonisht kalon vetvetiu brenda 24 orëve, mirëpo në rastet kronike kërkohet ndërhyrje mjekësore.
“Urtikariet më të rënda duhet të trajtohen nga mjeku përkatës. Duhet të merret terapi brenda atyre 4 ditëve dhe pacientit t’i caktohet dieta përkatëse, të cilës duhet t’i përmbahet,” theksoi ajo./Gazeta Shneta/
Për këto dhe të tjera ndiqni videon më poshtë:


