Shëndeti i zemrës varet nga shumë faktorë, përfshirë aktivitetin fizik, menaxhimin e stresit, duhanin dhe natyrisht, ushqimin që konsumojmë.
Studimet tregojnë se ushqimet e pasura me fibra, acide yndyrore omega-3, antioksidantë, kalium dhe magnez mund të përmirësojnë shëndetin kardiovaskular. Një studim i ri ka shtuar polifenolët në listën e lëndëve ushqyese me përfitime potenciale për zemrën, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Polifenolët gjenden në disa lloje ushqimesh si kafeja, manaferrat, arrat, kakaoja dhe vaji i ullirit.
Studimi i publikuar në “BMC Medicine”, ndoqi mbi 3,100 pjesëmarrës të rritur për më shumë se 10 vjet.
Një grup prej 200 pjesëmarrësish dha mostra urine, nga të cilat shkencëtarët matën metabolitët e polifenoleve dhe lidhjen e tyre me shëndetin kardiovaskular.
Rezultatet treguan se nivelet më të larta të metabolitëve të polifenoleve korresponduan me një rrezik më të ulët për sëmundjet e zemrës dhe me nivele më të larta të kolesterolit “të mirë” HDL.
Megjithëse studimi ishte vëzhgues dhe nuk mund të vërtetohej lidhja shkak-pasojë, modeli i të dhënave sugjeron se dieta e pasur me polifenole lidhet me një profil më të favorshëm të shëndetit të zemrës dhe ngadalëson përparimin e rrezikut kardiovaskular me moshën. Polifenolët ndihmojnë funksionimin e enëve të gjakut, uljen e presionit të gjakut dhe përmirësimin e profileve të lipideve.
Studiuesit planifikojnë prova të kontrolluara për të konfirmuar ndikimin e drejtpërdrejtë të polifenoleve në shëndetin e zemrës dhe po zhvillojnë mjete biomarkerësh për të matur më saktë dietën dhe efektet afatgjata. /Gazeta Shneta/


