Çaji, kafeja, arrat, frutat pyjore, vaji i ullirit, drithërat integrale dhe kakaoja mund të kenë ndikim të madh në shëndetin e zemrës.
Këtë e ka konfirmuar një studim i ri britanik, i publikuar në revistën shkencore BMC Medicine, i cili ka analizuar mënyrën se si ushqimet e pasura me polifenole ndikojnë në faktorët kryesorë kardiovaskularë.
Studiues nga King’s College London kanë monitoruar mbi 3,100 të rritur në Mbretërinë e Bashkuar për një periudhë prej 11 vitesh, shkruan HealthDay transmeton Gazeta Shneta.
Gjatë hulumtimit, ata kanë matur nivelin e polifenoleve në organizëm përmes analizave të urinës dhe i kanë krahasuar me parametër kryesorë të shëndetit të zemrës, si tensioni i gjakut, kolesteroli dhe rreziku i përgjithshëm kardiovaskular.
Rezultatet treguan se personat që konsumonin rregullisht ushqime të pasura me polifenole kishin tension më të ulët, kolesterol më të favorshëm dhe nivele më të larta të HDL-së, të njohur si “kolesteroli i mirë”.
Përmirësimet lidhen kryesisht me dy grupe polifenolësh: flavonoidet dhe acidet fenolike, të cilat gjenden në sasi të mëdha te çaji, kafeja, frutat pyjore dhe arrat.
Sipas autores kryesore të studimit, Yong Li, përfshirja e rregullt e këtyre ushqimeve në dietë është një mënyrë e thjeshtë dhe praktike për të mbështetur shëndetin e zemrës. Ajo thekson se polifenolët janë të përhapur në produkte të përditshme, duke i bërë këto përfitime të arritshme për pothuajse çdo person.
Autorja tjetër, profesorja Ana Rodriguez-Mateos, ka shtuar se dieta e pasur me polifenole mund të ngadalësojë dukshëm rritjen natyrale të rrezikut kardiovaskular që vjen me moshën. Sipas saj, edhe ndryshimet e vogla në dietë, por të qëndrueshme, mund të kenë ndikim pozitiv afatgjatë në zemër.


