Një rishikim gjithëpërfshirës i të dhënave të analizuara nga studimet më të fundit, i publikuar në British Journal of Sports Medicine, tregon se ushtrimet fizike mund të zbusin ndjeshëm efektet e dëmshme të trajtimeve kundër kancerit, si dëmtimi i zemrës dhe nervave, mjegulla mendore dhe vështirësia në frymëmarrje.
Për më tepër, aktiviteti fizik përmirëson mirëqenien psikologjike, cilësinë e gjumit, funksionimin e trupit dhe ndërveprimin social, duke rritur cilësinë e përgjithshme të jetës së pacientëve me kancer.
Rishikimi analizoi të dhënat nga 80 artikuj me gjithsej 485 lidhje mes llojeve të ushtrimeve (si yoga, tai chi, ushtrime aerobike dhe rezistence, HIIT) dhe rezultateve shëndetësore në pacientë me lloje të ndryshme të kancerit (gjirit, mushkërive, tretës, prostatës etj.), shkruan Health Day, trasnmeton Gazeta Shneta.
Rreth 54% e lidhjeve rezultuan statistikisht të rëndësishme dhe 48% ishin të mbështetura me prova me siguri të lartë ose mesatare.
Ushtrimet gjithashtu ndikuan pozitivisht në tregues fiziologjikë si insulina dhe proteina C-reaktive, si dhe ndihmuan në parandalimin e komplikimeve pas operacionit, zvogëlimin e dhimbjes, kohës së qëndrimit në spital dhe rrezikut të vdekjes.
Megjithëse studiuesit njohin disa kufizime metodologjike dhe theksojnë nevojën për kërkime të mëtejshme, ata rekomandojnë përfshirjen e ushtrimeve mendje-trup në udhëzimet për trajtimin e kancerit dhe zhvillimin e protokolleve të personalizuara sipas tipit të kancerit dhe karakteristikave individuale të pacientëve./Gazeta Shneta/


