Vajza 16-vjeçe bëhet nënë në QKUK, gjinekologu ngrit shqetësimin për lindjet e hershme

2019-05-08 në ora 09:37

Gjatë javës së kaluar në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës në repartin e Gjinekologjisë një e mitur, 16 vjeçare lindi djalin e saj. Vajza e komunitetit ashkali qëndroi në spital për dy ditë. Pastaj në gjendje të mirë shëndetësore ajo bashkë me foshnjën u liruan për në shtëpi. E ditë më parë në gjinekologjinë e QKUK’së, një 14 vjeçare tjetër për herë të parë është bërë nënë. Në anën tjetër gjinekologët kosovarë po i shohin si shqetësuese këto lindje.

Lindjet e foshnjave nga nënat nën moshën 18-vjeçare, po bëhet një dukuri mjaft shqetësuese në Kosovë. Vetëm gjatë këtij viti në Kosovë raportohet se katër vajza të mitura i kanë lindur foshnjat e tyre. Ndërkohë që gjatë vitit që e lamë pas në Klinikën Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë lindur 65 foshnje nga nënat e moshës jo madhore.

Gjatë javës që e lamë pas, një vajzë 16-vjeçare nga qyteti i Ferizajt, e komunitetit ashkali, e lindi foshnjën e saj të parë të gjinisë mashkullore.

Nëna lehonë qëndroi në spital bashkë me djalin për dy ditë, për tu lëshuar pastaj në gjendje të mirë shëndetësore. Por rreth këtij, rasti, policia e Kosovës tashmë e ka arrestuar një person i cili besohet të jetë prindi i foshnjës së lindur dhe është i moshës 18-vjeçar.

Hetime për këtë çështje tashmë kanë nisur edhe nga Prokuroria Themelore e Ferizajt.

Në Prokurori deklarojnë se ekziston dyshimi se është kryer vepra penale “Bashkësi jashtëmartesore me personin nën moshën 16 vjet”

Por, një lindje tjetër e hershme u raportua para disa javëve në qytetin e Fushë Kosovës. Aty një vajzë 15-vjeçare po ashtu e komunitetit ashkali, martesën e saj të hershme e kurorëzoi me lindjen e një vajze. Edhe ajo për disa ditë kishte qëndruar në Gjinekologjinë e QKUK’së. Ndërkohë që edhe për këtë rast policia kishte ndaluar një person.

Por, shqetësuese këto lindje po i shohin mjekët gjinekologë të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës. Ata deklarohen se këto vajza nuk janë të përgatitura në mënyrë psikologjike për t’u bërë nëna në moshë kaq të re.

Megjithatë, drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë së QKUK’së, Jakup Ismajli deklaron se trendi i lindjeve nga nënat e mitura është duke u rritur në Kosovë.

“Që nga viti 2015 e deri në vitin 2018, diku sillen rreth 34 lindje në 2000 mijë lindje. Kjo dukuri është shqetësuese ngase lindjet po janë të hershme. Ato po kryhen në periudhën e adoleshencës dhe natyrisht që shfaqen komplikime”, ka shpjeguar gjinekologu i QKUK’së.

Ai shpjegon edhe komplikimet me të cilat ballafaqohen vajzat e reja të cilat lindin fëmijë.

“Ka raste kur kryhen aborte, ose lindje të parakohshme. Pastaj shfaqen edhe komplikime të tjera. Në anën tjetër shumica e këtyre lindjeve, po flasim për vajzat nën moshën 18-vjeçare kryhen me operacion”, thotë drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë së QKUK’së, Jakup Ismajli.

Tutje, Ismajli, shprehet se pas procesit të lindjes të gjitha këto vajza shprehen të margjinalizuara nga rrethi dhe familja.

E ndërkohë që nga janari e deri në muajin prill të këtij viti në Klinikën e Neonatologjisë që funksionon në kuadër të QKUK’së, janë braktisur gjashtë foshnje nga nënat e tyre. Këtë vakt ia konfirmoi Expressit drejtori i kësaj klinike, Xhevdet Gojnovci.

“Mund të ju konfirmojë se që nga janari e deri në muajin prill në klinikën tonë i kemi gjashtë foshnje të braktisura. Nga to njëri ka probleme shëndetësore”, deklaron Gojnovci.

Ndërkohë zyrtarë nga Policia e Kosovës, kanë treguar se gjatë vitit 2018 janë raportuar 15 raste ku persona të caktuar kanë bashkëjetuar me personin nën moshën 16 vjeçare, ndërsa 8 raste të tilla vetëm gjatë muajve të parë të vitit 2019.

Megjithatë, ligji për familjen thotë se asnjë person nën moshën 18 vjeçare nuk mund të lidhë martesë me një tjetër. Aty theksohet se vetëm për shkaqe të arsyeshme dhe sipas kërkesës, gjykata mund të lejojë martesën, por, kjo vetëm për personat më të vjetër se 16 vjet.

Kjo nëse konstatohet se personi i tillë ka arritur pjekurinë e nevojshme fizike dhe psikike për të ushtruar të drejtat e veta martesore dhe për të përmbushur detyrimet martesore.

Gjykata para se të marrë vendimin do të kërkojë mendimin e Organit të Kujdestarisë, do ta dëgjojë të miturin dhe prindërit përkatësisht kujdestarin e tij. Gjykata gjithashtu do të dëgjojë personin me të cilin i mituri ka për qëllim të lidhë martesë, mendimin e institucionit përkatës shëndetësor dhe do t’i hetojë rrethanat e tjera të rëndësishme për vendimin./GazetaExpress/