Vitet e fundit është rritur ndjeshëm interesi shkencor për rolin e vaksinës kundër herpes zoster dhe jo vetëm në parandalimin e kësaj sëmundjeje, por edhe në mbrojtjen nga probleme të tjera shëndetësore.
Studime të mëparshme kanë treguar se kjo vaksinë mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare, si sëmundjet e zemrës dhe goditja në tru, si dhe mund të ngadalësojë plakjen biologjike, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një fushë tjetër ku është përqendruar kërkimi është parandalimi i demencës.
Studime të publikuara gjatë viteve 2025–2026 sugjeruan se vaksina kundër herpes zoster mund të ulë rrezikun e demencës, përfshirë demencën vaskulare, dhe të ngadalësojë përparimin e sëmundjes. Një studim i ri, i botuar në revistën “The Lancet”, forcon më tej këto gjetje.
Studiuesit analizuan të dhënat shëndetësore të rreth 230,000 të rriturve të moshuar në Ontario, Kanada, duke shfrytëzuar programin e imunizimit të vitit 2016, i cili ofroi falas vaksinën Zostavax për personat 65–70 vjeç. Ky program krijoi kushte të ngjashme me një studim të rastësishëm, duke lejuar krahasime më të sakta mes grupeve të popullsisë.
Rezultatet treguan se personat që kishin të drejtë të merrnin vaksinën kishin rreth 2 pikë përqindje më pak gjasa të diagnostikoheshin me demencë gjatë një periudhe ndjekjeje prej 5.5 vitesh.
Po ashtu, diagnozat e reja të demencës ishin dukshëm më të rralla në Ontario krahasuar me provinca të tjera kanadeze pa një program të tillë vaksinimi.
Sipas autorit kryesor, Pascal Geldsetzer, këto gjetje ofrojnë për herë të parë prova të forta për një lidhje shkak-pasojë mes vaksinimit kundër herpes zosterit dhe uljes së rrezikut të demencës.
Efekti mbrojtës u pa më i theksuar te gratë, ndoshta për shkak të dallimeve në reagimin imunitar dhe zhvillimin e sëmundjes. /Gazeta Shneta/


