Një vaksinë eksperimentale kundër melanomës, e zhvilluar nga kompanitë farmaceutike Moderna dhe Merck, ka treguar rezultate premtuese në trajtimin e kancerit agresiv të lëkurës, pas një ndjekjeje pesëvjeçare të pacientëve në studime klinike.
Sipas të dhënave nga faza e dytë e provave klinike, terapia e personalizuar me teknologji mRNA ka ulur rrezikun e rikthimit të kancerit ose vdekjes me 49 për qind te pacientët me melanomë me rrezik të lartë, krahasuar me trajtimin standard vetëm me imunoterapi.
Trajtimi kombinon vaksinën mRNA të personalizuar të Moderna-s, të njohur si intismeran autogene, me ilaçin imunoterapik Keytruda të Merck, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Vaksina ndihmon sistemin imunitar të njohë shenjat specifike të qelizave kancerogjene, ndërsa Keytruda bllokon mekanizmat që tumoret përdorin për t’u fshehur nga sistemi imunitar.
Studiuesit theksojnë se kjo qasje forcon përgjigjen e qelizave T, të cilat luajnë rol kyç në luftimin e kancerit. Aktualisht, kompanitë janë në pritje të rezultateve nga faza e tretë e provave klinike, që është edhe faza përfundimtare para miratimit të mundshëm të terapisë.
Melanoma është forma më e rrezikshme e kancerit të lëkurës dhe karakterizohet nga rritja e pakontrolluar e qelizave që prodhojnë melaninë. Numri i rasteve me melanomë ka ardhur duke u rritur në dekadat e fundit, me mbi 330 mijë raste të reja të diagnostikuara në mbarë botën vetëm gjatë vitit 2022./Gazeta Shneta/


