Teknologjia mRNA po shihet gjithnjë e më shumë si një nga zhvillimet më premtuese në trajtimin e kancerit, pas rezultateve të reja të publikuara nga Reuters mbi një vaksinë eksperimentale kundër melanomës.
Kompanitë Moderna dhe Merck raportuan se vaksina e personalizuar mRNA “intismeran autogene”, e kombinuar me imunoterapinë Keytruda, uli me 59% rrezikun e përhapjes së melanomës pas pesë vitesh ndjekjeje klinike, shkruan Reuters,transmeton Gazeta Shneta.
Studimi përfshiu 157 pacientë me melanomë me rrezik të lartë, të cilët kishin kaluar ndërhyrje kirurgjikale për largimin e tumorit. Rezultatet treguan se mbijetesa totale ishte 92.2% tek pacientët që morën kombinimin e vaksinës me Keytruda, krahasuar me 71.3% tek ata që morën vetëm imunoterapinë.
Vaksina krijohet individualisht për secilin pacient duke përdorur profilin gjenetik specifik të tumorit. Teknologjia mRNA më pas “trajnon” sistemin imunitar që të njohë dhe të sulmojë qelizat kancerogjene me më shumë saktësi.
Sipas raportimit, kombinimi me Keytruda ndihmon jo vetëm në aktivizimin e përgjigjes imunitare kundër tumorit, por edhe në ruajtjen e kësaj përgjigjeje për një kohë më të gjatë.
Reuters thekson se Moderna dhe Merck aktualisht po zhvillojnë tetë studime më të mëdha klinike për të testuar këtë teknologji edhe në lloje të tjera të kancerit, përfshirë kancerin e mushkërive, fshikëzës urinare dhe veshkave.
Ekspertët e konsiderojnë këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt mjekësisë së personalizuar në onkologji, ku trajtimet përshtaten sipas karakteristikave biologjike të secilit pacient. /Gazeta Shneta/


