Në Spitalin “Isa Grezd” në Gjakovë po vazhdon puna e reduktuar në sallën operative, ku vazhdon të jetë në fuqi vendimi i menaxhmentit atje për të punuar vetëm me raste urgjente.
Por ky vendim është kritikuar nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës, i cili vendimin e ka quajtur të pakuptimtë. Po ashtu SHSKUK ka dënuar edhe sulmin ndaj gazetarëve që po raportonin për këtë problematikë. Por, përfaqësues të spitalit “Isa Grezda”, raportimin e mediave për këtë problematikë e kanë quajtur tendencioz.
Spitali “Isa Grezda” në Gjakovë po vazhdon të ofrojë vetëm shërbime esenciale dhe urgjente. Në këtë spital rajonal, ku shërbime kërkojnë mijëra pacientë, vazhdon të mbetet në fuqi vendimi i menaxhmentit për reduktimin e operacioneve, përveç atyre emergjente, për shkak të, siç shprehen ata, mungesës së stafit, me theks të veçantë anesteziologëve.
Pikërisht për këtë temë, një ekip i gazetarëve që po raportonte të mërkurën, u sulmua nga sigurimi i spitalit, gjë që shkaktoi reagime nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Një reagim erdhi edhe nga Bordi drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, i cili paralajmëroi ndërmarrjen e masave pas këtij sulmi. Ata e cilësojnë të pakuptimtë vendimin e Spitalit të Gjakovës për ndërprerjen, përkatësisht reduktimin e punës në sallat operative. Për më tepër, ShSKUK e dënon veprimin e të punësuarve të Spitalit, që penguan punën e lirë të gazetarëve dhe mediave, duke garantuar dhe ofruar bashkëpunim të plotë me mediat dhe gazetarët. Në njoftim thuhet se ShSKUK nuk ka qenë në dijeni për pengimin e gazetarëve, deri në publikimin e videos nga mediat.
Së shpejti do të bëhen publikë hapat që do të ndërmerren në Spitalin e Gjakovës.
Në anën tjetër, përfaqësues të spitalit “Isa Grezda”, raportimin e mediave për këtë problematikë e kanë quajtur tendencioze.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, njofton për masën e ndalimit ndaj punëtorit të sigurimit të spitalit.
Ndërkaq, ende nuk dihet se kur do të rikthehen shërbimet e plota shëndetësore në këtë spital./RTK/