Gjatë ditës së djeshme ka ndërruar jetë një fëmijë 12-vjeçar në Klinikën Emergjente në Prishtinë. Fëmija para se të dërgohej në klinikë, ishte trajtuar nga mjekët e Qendrës së Mjekësisë Urgjente në Prishtinë.
12-vjeçari ishte alivanosur gjatë qëndrimit në pishinën e Gërmisë gjatë ditës së djeshme. Arsyeja për përkeqësimin e gjendjes së tij ende nuk dihet, por mësohet se mjekët e Urgjencës kishin arritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes.
Fëmijën fillimisht e ka trajtuar një teknik i pishinës së Gërmisë, ndërsa përgjegjësit e kanë thirrur edhe Urgjencën e Prishtinës. Dy ekipe të mjekëve kanë arritur për rreth 7 minuta në pishinë, dhe pas reanimimit dhe pasi e kanë defibriluar, kanë arritur që t’ia rikthejnë ritmin.
Më pas fëmija ishte dërguar në Emergjencën e QKUK-së, por fatkeqësisht mjekët nuk kanë arritur ta mbajnë në jetë. Vdekja e fëmijës është konfirmuar në ora 16:20. /Gazeta Shneta/