Inspektorati Shëndetësor sot ka shkuar në Ferizaj për të kryer inspektimin në poliklinikën “Aorta” pas vdekjes së 41-vjeçares.
Një 41-vjeçare ndërroi jetë të shtunën pas një procedure që kreu në poliklinikën “Aorta” në Ferizaj. Gruaja u dërgua pa shenja jete në urgjencën e Spitalit të Ferizajt dhe rasti po hetohet edhe nga Prokuroria, shkruan Gazeta Shneta.
Ndërkaq sot për një inspektim ka shkuar edhe një ekip i Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë. Inspektimin e ka konfirmuar zyra për media e MSH-së derisa kanë deklaruar se do të japin më shumë detaje pasi të marrin një raport preliminar.
“Inspektorati Shëndetësor është duke kryer inspektim në IPSH ‘Aorta’ në Ferizaj, në lidhje me rastin e vdekjes se gruas 41-vjeçare. Rreth të gjeturave në institucionin e lartë përmendur, masat do të merren varësisht nga të gjeturat pas inspektimit, për të cilat do të ju njoftojmë me një raport preliminar nga inspektorët e rastit”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Gruaja 41-vjeçare ishte paciente e gjinekologut Heroid Arifi. Sipas raportimeve të Sinjali.com, Arifi kishte deklaruar në Polici se e ndjera kishte shfaqur dhembje gjoksi. Në momentin kur kishte ndodhur rasti i pranishëm ishte edhe anesteziologu Muhamet Fazliu. /Gazeta Shneta/




