Policia e Kosovës ka arrestuar vëlla e motër Xhavit dhe Hanife Karaxha, për rastin e vdekjes së gruas 35-vjeçare e cila shkoi në ordinancën e tyre për të hequr një dhëmbë. Ordinanca ishte e licencuar për shërbime gjinekologjike
Heqja e një dhëmbi përfundoi me fatalitet për L.Sh. nga Malisheva në ordinancën “Doktorat” tek mjeku Xhavit Karaxha, i cili siç ka mësuar Gazeta Shneta është ende në specializim për të marr titullin stomatolog.
Gazeta Shneta ka mësuar nga burimet brenda QKUK-së shkakun preliminar të dyshuar për vdekjen e 35-vjeçares, por për shkak se nuk është e konfirmuar shkaku zyrtarisht, nuk do të bëhet publik nga redaksia e Gazetës.
Vdekja e gruas ka ndodhur në ordinancën “Doktorat” e cila është e licencuar nga Ministria e Shëndetësisë si “Ordinancë specialistike gjinekologjike”. Ndërkaq si biznes është i regjistruar në emër të Hanife Karaxhës si biznes individual. Ordinanca në ARBK është e regjistruar me aktivitete të mjekësisë së specializuar. Deri më tani nuk dihet se si është licencuar nga MSh dhe në emër të cilit gjinekolog.


Megjithatë në këtë ordinancë janë kryer edhe shërbimet e stomatologjisë nga mjeku Xhavit Karaxha, cili është ende në specializim për stomatologji. Sipas burimeve në MSh, ordinanca ka qenë e licencuar vetëm për shërbime të gjinekologjisë ndërsa shërbimet tjera nuk kanë qenë të licencuara.
Ndërkaq në Listën e Institucioneve Private Shëndetësore të MSh-së figuron e licencuar edhe një ambulancë stomatologjike në emrin e Xhavit Karaxhës. Ambulanca “Flori” ka adresë tjetër nga ordinanca ku ka ndodhur rasti. Këtë biznes Karaxha e kishte hapur në gusht të vitit 2019, ndërsa të njëjtin e ka shuar në shtator 2021. Licenca e tij figuron aktive në Listën e Institucioneve Private Shëndetësore nga qershori i vitit 2021.

Për rastin ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë e cila ka njoftuar se është iniciuar hetim nga Inspektorati Shëndetësor në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Nga MSH është thënë se në ordinancën “Doktorat” është ushtruar veprimtari ilegale, duke mos specifikuar për çfarë veprimtarie bëhet fjalë.
“Një ngjarje e tillë, në rrethana kur një qytetare humb jetën pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në Institucionin Privat Shëndetësor ‘Doktorat’ të cilët kanë ushtruar veprimtari ilegale, është e patolerueshme dhe do të angazhohemi që të ofrojmë të gjitha provat për dënime maksimale ndaj kryersve të kësaj vepre të rëndë”, thuhet në reagimin e MSH-së.
Ministria poashtu ka thënë se janë shqyrtuar edhe raportet e komisionit të licencimit lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni privat.
Xhavit dhe Hanife Karaxha janë arrestuar nën dyshimet për “Trajtim i pandergjegjsëm mjekësor” dhe “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”.
Xhavit Karaxha është mjek i licencuar nga Oda e Stomatologëve të Kosovës. Kjo e fundit ka reaguar duke thënë se është në pritje të raportit nga Inspektorati Shëndetësor për të marr masa ligjore ndaj Karaxhës. /Gazeta Shneta/


