Vdekja e një foshnjeje 11-muajshe në vitin 1985 ndryshoi përgjithmonë karrierën e neurokirurgut amerikan Kevin Tracey dhe çoi, dekada më vonë, në zhvillimin e një teknologjie që po konsiderohet revolucionare në trajtimin e sëmundjeve inflamatore.
Tracey, sot president dhe drejtor ekzekutiv i Institutit Feinstein për Kërkime Mjekësore në SHBA, kujton se si humbja e pacientes së tij të vogël pas komplikimeve nga djegiet e rënda e shtyu të kërkonte përgjigje për rolin e inflamacionit në organizëm.
Pas gati katër dekadash kërkimesh, puna e tij kulmoi me miratimin nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) të një pajisjeje inovative që përdor impulse elektrike për të kontrolluar inflamacionin tek pacientët me artrit reumatoid.
Pajisja, e quajtur SetPoint System, ka madhësinë e një vitamine dhe implantohet në qafë pranë nervit vagus, një nga rrugët kryesore të komunikimit mes trurit dhe organeve të trupit.
Ajo dërgon një stimulim elektrik prej vetëm një minute në ditë, duke aktivizuar mekanizmat natyrorë të organizmit për të ulur inflamacionin.
Ekspertët thonë se kjo qasje mund të ofrojë një alternativë për pacientët që nuk kanë pasur sukses me trajtimet tradicionale medikamentoze.
Artriti reumatoid është një sëmundje kronike autoimune që shkakton dhimbje, ënjtje dhe dëmtime të nyjeve. Vetëm në Shtetet e Bashkuara prek rreth 1.5 milion njerëz.
Miratimi i pajisjes nga FDA erdhi pas një studimi klinik me 242 pacientë, i cili tregoi se teknologjia ishte e sigurt dhe efektive tek personat që nuk po përfitonin nga terapitë ekzistuese.
Një nga pacientet që iu nënshtrua implantimit, Jessica Hancock, tha se pas vitesh me dhimbje të vazhdueshme dhe trajtime të shumta, gjendja e saj u përmirësua ndjeshëm.
“Ndihesha sikur isha një person krejtësisht i ri. Nuk kam qenë kaq mirë prej 20 vitesh”, ka deklaruar ajo.
Tracey konsiderohet pionier i një fushe të re të njohur si mjekësia bioelektronike, e cila synon trajtimin e sëmundjeve përmes stimulimit të nervave dhe jo vetëm me barna.
Shkencëtarët besojnë se kjo teknologji mund të ketë potencial edhe në trajtimin e sëmundjeve të tjera inflamatore dhe ndoshta në të ardhmen të ndihmojë në parandalimin e komplikimeve të lidhura me kancerin dhe sëmundjet e zemrës.
Sipas Tracey, zbulimi i rolit të nervit vagus në kontrollin e inflamacionit ndodhi rastësisht gjatë eksperimenteve laboratorike në vitet 1990, por sot po hap rrugën për një qasje krejtësisht të re në trajtimin e sëmundjeve kronike.
“Jemi në prag të një epoke ku shkenca do të bëhet jashtëzakonisht e dobishme për pacientët. Kjo do të thotë që njerëzit do të ndihen më mirë dhe kjo më bën të lumtur”, ka thënë ai./Gazeta Shneta/


