Tre pacientë kanë vdekur në Qendrën Klinike Universitare më 7 shtator. Shkak për këto vdekje dyshohet të jetë gazi oksidul, i cili prodhohej pa licencë në Kaqanik nga kompania “Bubeari Komerc”.
Pronari i kësaj kompanie, Naser Guri, tanimë gjendet në paraburgim prej 30 ditësh, shkruan Gazeta Shneta.
Prokuroria kishte urdhëruar zhvarrosjen e trupave të pacientëve, rreth një javë pas vdekjes së tyre. Pas obduksionit nga Mjekësia Ligjore, kjo e fundit ka kërkuar nga Prokuroria që analizat të dërgohen në ndonjë laborator jashtë Kosovës në mungesë kushtesh.
Deri më tani, këto analiza duket se nuk janë dërguar në asnjë vend jashtë Kosovës.
Arsim Gërxhaliu nga Mjekësia Ligjore, thotë se i kanë propozuar Prokurorisë një institucion i cili do të mund të kryente analizat sipas kërkesës së tyre.
Jashtë Kosovës pritet të dërgohen edhe mostrat e gazit oksidul për t’i kryer analizat. Burime të Gazetës Shneta bëjnë të ditur se Shqipëria, e cila ka qenë propozimi i parë, ka refuzuar t’i bëjë analizat e gazit oksidul.
Prokurori i rastit Valdet Gashi, ka refuzuar të flas për të gjitha këto edhe pas insistimit të Gazetës Shneta për të marr përgjigje për disa ditë me radhë.
Analizat pritet të sqarojnë shkakun e vdekjes së pacientëve, të cilët ndërruan jetë para rreth 2 muajve. /Gazeta Shneta/