Vajza 23-vjeçare nga Lushnja, që humbi jetën mbrëmjen e së mërkurës në një aksident automobilistik ishte studente e vitit të pestë në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë. Viktima është Jonisa Toromani dhe ishte pasagjere në sediljen e parë të makinës që doli nga rruga, si pasojë e lagështirës dhe shpejtësisë, raporton “Panorama”.
Ajo po udhëtonte bashkë me të motrën në drejtim të Lushnjës, ndërsa automjeti drejtohej nga një shoku i tyre nga Elbasani.
Burime nga Policia e Tiranës thanë se ngjarja ndodhi në rrugën Kavajë–Lushnjë, në afërsi të rrethrrotullimit te vendi i njohur si “Bishti i Zhurit”. Automjeti tip “Mercedes Benz”, që drejtohet nga 25-vjeçari Alvi Rrasa, ka dalë nga rruga dhe si rrjedhojë është batuar, duke sjellë vdekjen e studentes Toromani dhe plagosjen e motrës së saj e drejtuesit.
Dy të plagosurit janë dërguar me urgjencë në Spitalin e Lushnjës dhe sipas Policisë, e kanë kaluar rrezikun për jetën. Ndërsa fatkeqësisht, 23-vjeçarja nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të shumta që ka marrë si pasojë e përplasjes së fortë.
Burime nga Policia thanë se shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë prezenca e lagështirës në rrugë, por edhe shpejtësia tej normave, me të cilën drejtuesi është futur në rrethrrotullim. Për këtë arsye, pasi ka marrë mjekim në spitalin e Lushnjës, 25-vjeçari Rrasa është arrestuar me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
STUDENTJA
Vajza që humbi jetën të mërkurën në një aksident automobilistik në Kavajë, ishte një nga studentet më të spikatura në Universitetin e Mjekësisë. Ajo ndodhej në makinë bashkë me të motrën 20-vjeçare, që po ashtu është studente në një universitet privat në Tiranë, por që fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Jonisa Toromani nisi studimet në Universitetin e Mjekësisë në vitin 2012, pasi përfundoi gjimnazin në Lushnjë, me rezultate të shkëlqyera. Madje që prej gjimnazit ajo spikati me përgatitjet e saj, duke përfaqësuar Lushnjën në disa olimpiada në shkallë kombëtare, ku u shpall edhe fituese.
Ajo ishte në kategorinë e studentëve ekselentë dhe priste të fillonte specializimin, pas përfundimit të Mjekësisë së Përgjithshme. Jonisa ishte vajza e dytë e familjes Toromani, ndërsa ka edhe dy motra të tjera.
Më e madhja është mjeke në një spital privat në kryeqytet, ndërsa motra e vogël, që u plagos në aksident, vijon studimet me bursë të plotë, po ashtu si studente ekselente. Universiteti i Mjekësisë dhe Këshilli Studentor, nëpërmjet postimeve në rrjetin social “Facebook”, i kanë shprehur ngushëllimet familjes së Jonisës.