Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ndër të tjera ka vendosur që t’i ngarkojë Qendrat për Punë Sociale si institucione përgjegjëse për vlerësimin e kategorive sociale që do të lirohen nga pagesa e premiumeve shëndetësore dhe bashkë pagesave, nëse identifikohen si të varfra sipas kritereve të Testit të Varfërisë.
Këtë vendim po e konsideron si skandaloz dhe të papranueshëm drejtori i Qendrës për Punës Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku. Ai thotë se kjo detyrë shtesë vjen në kohën kur QPS-të nuk kanë përkrahje nga askush, transmeton Gazeta Shneta.
“Skandaloze! Kjo jo vetëm që është e papranueshme dhe e papërballueshme por do të prodhoj shumë efekte negative në punën profesionale të QPS-ve në Kosovë. Edhe ashtu QPS-të kanë përgjegjësi për rreth 50 kategori të klientëve të shërbimeve sociale profesionale si grupet më të rrezikuara të shoqërisë dhe Skemën e Asistencës Sociale për të cilat ka shumë vështirësi në ofrimin shërbimeve sociale”, thotë Mujku.
Ai thotë se QPS-të nuk kanë staf, zyre e as vetura për të vlerësuar rreth 600 mijë persona në nivel të Kosovës.
“Mundë të paramendoni se popullata ka prit 18 vite për sigurime shëndetësore dhe brenda QPS-ve do të jetë një evazion i madh për kërkesa dhe qindra persona do ta vërshojnë QPS-në çdo ditë. Dyert do të jenë të bllokuara nga ato palë, dhe nëpër atë grumbull të personave duhet të kalojnë Nëna vetushqyes për kontaktim me fëmijë, gra viktima të dhunës në familje e trafikim, të realizohen kontaktime prind-fëmijë etj”, shton ai.
Duke qenë pjesë e grupit punues, Mujku ka deklaruar se një vendim të tillë e ka kundërshtuar dhe do të vazhdojë të mbetet kundër, ndonëse sipas tij “zakonisht të fortit nuk pyesin”.
Ai ka tërhequr vërejtjen se QPS-të nuk mund të ngarkohen me detyra të reja pa pëlqimin e komunave dhe pa pjesëmarrjen e tyre. /Gazeta Shneta/