Mjekët kanë hequr një veshkë të modifikuar gjenetikisht të një derri nga një grua në Alabama pasi trupi i saj e refuzoi organin, ka njoftuar NYU Langone Health.
Towana Looney, 53 vjeçe, e mbajti organin e transplantuar për 130 ditë — periudha më e gjatë që ndonjëherë është toleruar një organ nga derr i modifikuar gjenetikisht.
Dr. Robert Montgomery, i cili kreu transplantin, tha se heqja e veshkës — që quhet edhe “eksplant” — tha se nuk është një hap prapa në fushën e ksenotransplantimit (përdorimi i organeve të kafshëve te njerëzit).
“Kjo është hera më e gjatë që një prej këtyre organeve ka funksionuar,” tha Montgomery, drejtues i Institutit të Transplantimeve në NYU Langone, për The New York Times transmeton Gazeta Shneta.
“E gjitha kjo kërkon kohë,” shtoi ai. “Kjo garë do të fitohet me përmirësime të vogla, me hapa të vegjël, jo me përpjekje për të bërë ndryshime të mëdha menjëherë.”
Pacientja Looney, e cila kishte udhëtuar nga Alabama në Nju Jork për procedurën, kishte edhe gjendje të tjera shëndetësore që mund të kenë ndikuar në rezultatin përfundimtar.
Mjekët thanë se trajtime të mëtejshme mund të kishin shpëtuar organin, por Looney dhe ekipi i saj vendosën të mos vazhdojnë me medikamente shtesë imunosupresive.
“Siguria ishte prioriteti kryesor — duhej të siguroheshim që ajo do të ishte mirë,” tha Montgomery.
Kompania bioteknologjike “United Therapeutics Corporation”, që kishte zhvilluar derrin e përdorur për transplant, tha se organi kishte funksionuar mirë deri në momentin kur ndodhi refuzimi.
Organet e derrit po studiohen si një zgjidhje e mundshme për mungesën e organeve huamane për transplant.
Aktualisht, më shumë se 550,000 njerëz në SHBA vuajnë nga dështimi i veshkave dhe varen nga dializa, ndërsa rreth 100,000 janë në listën e pritjes për transplant. Më pak se 25,000 transplante veshkash janë kryer vitin e kaluar, sipas Times. /Gazeta Shneta/


