Mykola Shot, një ushtar ukrainas që humbi të katër gjymtyrët në një shpërthim mortaje gjatë luftës me Rusinë në shkurt 2024, ka rifituar pavarësinë dhe mobilitetin falë protezave moderne dhe një procesi të gjatë rehabilitimi.
Pasi kaloi rreth një muaj në komë dhe u zgjua në një spital ushtarak në Kiev, ai nisi procesin e përshtatjes me protezat, të cilat i mori në SHBA.
Pas shumë seancave rehabilitimi në qendrën “Unbroken” në Lviv, ai tani mund të ecë, vrapojë, luajë me top dhe të ngasë makinë, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Në qershor 2025, Shot organizoi një vrap bamirësie në qytetin e tij të lindjes, Novoyavorivsk, dhe mblodhi rreth 9,300 euro për të blerë dhe përshtatur një makinë Citroën Picasso me kontrolle manuale të ndërtuara posaçërisht për protezat e tij.
Sot, ai punon vetë në qendrën e rehabilitimit ku trajtohet, duke frymëzuar ushtarë të tjerë të plagosur.
Ende nuk ka një numër zyrtar për amputimet në Ukrainë që nga fillimi i luftës, por vlerësimet arrijnë deri në 50,000 persona.
Kërkesa për proteza është rritur ndjeshëm, dhe ukrainasit i përfitojnë ato falas përmes sistemit shëndetësor publik. /Gazeta Shneta/


