Një studim i ri analizoi 100 videot më të njohura në TikTok për çrregullimin e deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD), duke pyetur si ekspertët e shëndetit mendor ashtu edhe të rinjtë për vlerësimet e tyre.
Rezultatet treguan se videot e famshme në TikTok për ADHD perceptohen ndryshe nga ekspertët mjekësorë dhe të rinjtë, duke theksuar ndikimin e rrjeteve sociale në perceptimin tonë mbi shëndetin raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Hulumtuesit ftuan dy psikologë klinikë të specializuar në ADHD për të shqyrtuar videot më të njohura mbi këtë çrregullim, i cili ndikon në sjelljen e individëve dhe karakterizohet nga vështirësi në përqendrim, hiperaktivitet ose impulsivitet.
Psikologët zbuluan se më pak se gjysma (48.7%) e pretendimeve në këto video përputheshin saktësisht me simptomat e ADHD-së sipas manualeve diagnostikuese.
Më pas, studiuesit u kërkuan mbi 800 studentëve universitarë të shikonin 10 nga këto video, të cilat ishin vlerësuar nga ekspertët si më të besueshmet dhe më pak të besueshmet.
Studimi, i publikuar në revistën “PLOS One”, tregoi një mospërputhje mes perceptimit të ekspertëve dhe studentëve.
Sipas Dr. Blandine French, hulumtuese në Universitetin e Nottinghamit në Britani, rezultatet nxjerrin në pah një problem të rëndësishëm: shumë njerëz mbështeten në TikTok për informacion mbi ADHD, por videot shpesh nuk janë të sakta apo të bazuara në prova shkencore.
“Nuk do të thotë se çdo përmbajtje në TikTok është e keqe, por duhet të merret me shumë kujdes,” tha ajo.
“TikTok mund të jetë një mjet i fuqishëm për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të ulur stigmën, por gjithashtu ka anën e tij negative,” tha Vasileia Karasavva, autore kryesore e studimit dhe studente e doktoraturës në psikologjinë klinike në Universitetin e British Columbia.
“Përvojat personale janë të rëndësishme, por kur nuk kanë kontekst të duhur, mund të çojnë në keqkuptime rreth ADHD-së dhe shëndetit mendor në përgjithësi”. /Gazeta Shneta/


