Autoritetet italiane kanë nisur hetime pas vjedhjes së 80 ampulave me fentanil nga farmacia e Spitalit Hebraik në Romë, një sasi që, sipas vlerësimeve, mund të përdorej për prodhimin e deri në 20 mijë dozave për tregun e paligjshëm.
Fentanili është një opioid sintetik deri në 100 herë më i fuqishëm se morfina. Ai përdoret ligjërisht në mjekësi si anestetik dhe për trajtimin e dhimbjeve të forta, veçanërisht te pacientët me kancer, por përdorimi i tij jashtë indikacioneve mjekësore mund të jetë fatal, shkruan Euronews Health, transmeton Gazeta Shneta.
Sipas autoriteteve, vjedhja u raportua më 24 qershor nga përgjegjësi i farmacisë së spitalit. Hetimet kanë zbuluar se nuk ka shenja të hyrjes me forcë në kasafortën ku ruheshin ampulat, ndërsa çelësat e saj ishin në dispozicion të disa anëtarëve të stafit.
Prokuroria e Romës ka hapur hetime për vjedhje dhe posedim të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjeje, ndërsa çështja po hetohet nga njësia speciale NAS e Karabinierëve.
Pas incidentit, Ministria italiane e Shëndetësisë ka nisur një inspektim në spital dhe ka paralajmëruar masa të reja për forcimin e kontrolleve mbi ruajtjen dhe përdorimin e fentanilit në institucionet shëndetësore.
Ngjarja ka nxitur edhe një mbledhje urgjente të qeverisë italiane në Palazzo Chigi, ku është kërkuar zbatimi rigoroz i procedurave për menaxhimin e barnave me rrezik të lartë, me synim mbrojtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e rasteve të ngjashme.
Po ashtu, Rajoni i Lazios ka urdhëruar inspektime të jashtëzakonshme në Spitalin Hebraik dhe kontrolle në spitalet e tjera të rajonit për të verifikuar mënyrën e administrimit dhe ruajtjes së barnave narkotike.


