Studiuesit nga Universiteti Uppsala në Suedi zbuluan se njerëzit që jetojnë me virusin herpes simplex kanë dy herë më shumë gjasa të zhvillojnë demencë.
Viruset herpes simplex (HSV), duke përfshirë HSV tip 1 (HSV-1) dhe HSV tip 2 (HSV-2), janë të zakonshme në popullatën e përgjithshme, shkruan burimi Health News përcjell Gazeta Shneta.
Sipas Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, në Shtetet e Bashkuara, deri në 80% e njerëzve midis moshës 14 dhe 49 vjeç jetojnë me HSV-1 dhe mbi 10% jetojnë me HSV-2.
HSV-1, ose herpesi oral kryesisht shkakton fshikëza të dhimbshme rreth gojës, ndërsa HSV-2, ose herpesi gjenital, zakonisht shfaqet si flluska rreth organeve gjenitale.
HSV është shumë ngjitëse dhe transmetohet përmes aktiviteteve të kontaktit të ngushtë, të tilla si puthja ose seksi.
Për më tepër, hulumtimet e mëparshme kanë gjetur lidhje midis HSV dhe sëmundjes së Alzheimerit.
Tani, hulumtimi i publikuar më 13 shkurt në “Journal of Alzheimer’s Disease”, gjeti më shumë prova që lidhin HSV me një rrezik më të lartë të demencës.
Gjetjet treguan se njerëzit që morën HSV në një moment të jetës së tyre mund të kenë dyfish rrezikun e demencës në krahasim me ata pa këtë gjendje.
Studiuesit rekrutuan 1002 pjesëmarrës 70-vjeçarë që nuk kishin demencë dhe i ndoqën ata për 15 vjet. Ekipi analizoi mostrat e serumit të pjesëmarrësve për të përcaktuar nivelet e antitrupave HSV në gjakun e tyre. Prania e këtyre antitrupave në gjak tregon se personi ka virusin në sistemin e tij.
Ata gjithashtu mblodhën të dhëna për diagnozat e pjesëmarrësve dhe medikamentet me recetë nga të dhënat mjekësore.
Pas përfundimit të studimit, ekipi zbuloi se pjesëmarrësit me antitrupa HSV në gjak kishin më shumë se dyfish rrezikun e demencës. Megjithatë, ndryshe nga studimet e mëparshme, ata nuk vërejtën një lidhje të rëndësishme midis HSV dhe sëmundjes së Alzheimerit.
“Është emocionuese që rezultatet konfirmojnë studimet e mëparshme. Gjithnjë e më shumë prova po dalin nga studimet si gjetjet tona, që tregojnë për virusin herpes simplex si një faktor rreziku për demencë”, tha autorja e parë Erika Vestin, një studente e mjekësisë në Universitetin Uppsala.
Autorët e studimit thonë se hulumtimet e mëparshme sugjerojnë se trajtimi i HSV me medikamente antivirale mund të ndihmojë në reduktimin e rreziqeve të demencës. Një studim i tillë zbuloi se trajtimi anti-herpesvirus mund të ulë rreziqet me 70%.
Megjithatë, studime të tjera zbuluan se këto trajtime nuk reduktonin rrezikun e dëmtimit njohës te njerëzit me virusin HSV. /Gazeta Shneta/


