Studimet e reja nga Universiteti i Stanfordit sugjerojnë se virusi Epstein-Barr (EBV), i cili gjendet te mbi 90% e të rriturve, mund të jetë shkaku i fshehtë i lupusit – një sëmundje kronike autoimune që prek miliona njerëz.
Studimi, i botuar në “Science Translational Medicine”, tregon se si ky virus mund t’i shtyjë qelizat imunitare të sulmojnë indet e shëndetshme të trupit, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Dr. William Robinson, profesor i imunologjisë dhe reumatologjisë, e cilësoi këtë si gjetjen më të rëndësishme të karrierës së tij, duke thënë se mekanizmi i zbuluar mund të shpjegojë pothuajse të gjitha rastet e lupusit.
Teksa, sëmundja shkakton inflamacion që mund të prekë lëkurën, nyjet, zemrën, veshkat dhe sistemin nervor, dhe prek kryesisht gratë. Nuk ka një kurë, ndërsa rreth 5% e pacientëve zhvillojnë komplikime të rënda.
EBV njihet për shkaktimin e mononukleozës dhe zakonisht merret në fëmijëri ose adoleshencë. Pasi hyn në trup, strehohet në qelizat B të sistemit imunitar.
Në vend që t’i ndihmojë ato të luftojnë infeksionet, virusi mund t’i manipulojë, duke i kthyer disa prej tyre në qeliza “rebele” që nxisin sulmin autoimun.
Studiuesit zbuluan se pacientët me lupus kanë rreth 25 herë më shumë qeliza B të infektuara nga EBV. Virusi prodhon proteinën EBNA2, e cila aktivizon gjene njerëzore që nxisin inflamacionin. Kjo shpie në një reagim imunitar të pakontrolluar, tipik për lupusin.
Ekipi sugjeron se mekanizma të ngjashëm mund të kontribuojnë në sëmundje të tjera autoimune si skleroza multiple, artriti reumatoid dhe sëmundja e Krohnit.
Ndërkohë, disa kompani po zhvillojnë vaksina kundër EBV, të cilat mund të jenë efektive vetëm para ekspozimit, pra në moshë të hershme. /Gazeta Shneta/


