Vitamina B12 është një përbërës thelbësor i dietës ushqyese dhe gjendet kryesisht në ushqimet me origjinë shtazore. Kjo vitaminë ka qenë objekt i studimeve të vazhdueshme shkencore, veçanërisht për format e saj natyrore dhe sintetike. Një rishikim i fundit i publikuar në revistën “Cureus”, analizon në mënyrë të detajuar vitaminën B12, burimet e saj dhe rolin që luan në shëndet, përfshirë sëmundje si anemia megaloblastike.
Vitamina B12 është shumë e rëndësishme për formimin e qelizave të kuqe të gjakut, funksionimin e sistemit nervor qendror, sintezën e ADN-së dhe metabolizmin qelizor. Mungesa e saj mund të shoqërohet edhe me simptoma të depresionit.
Një nga pasojat më të njohura të deficitit të vitaminës B12 është anemia megaloblastike, e cila karakterizohet nga qeliza të kuqe gjaku jonormale, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Mungesa e vitaminës B12 zakonisht lidhet me probleme të përthithjes ose me përdorimin joefektiv të saj nga organizmi. Ajo mund të merret nga burime natyrore, si mëlçia e viçit (një nga ushqimet më të pasura me B12), ose të shtohet në ushqime bimore dhe suplemente. Doza e rekomanduar ditore është 2.4 mikrogramë, ndërsa gjatë shtatzënisë dhe gjidhënies nevojat janë pak më të larta.
Në rrezik më të lartë për mungesë janë personat e moshuar, ata me sëmundje të traktit tretës (si sëmundja e Crohn-it), si dhe individët që ndjekin dieta vegjetariane ose vegane.
Simptomat e mungesës janë të shumta dhe përfshijnë dobësi muskulore, mpirje, humbje peshe dhe anemi. Trajtimi është thelbësor, pasi mungesa e patrajtuar mund të çojë në pasoja serioze, madje edhe paralizë.
Përthithja e vitaminës B12 është një proces kompleks. Në ushqim, ajo është e lidhur me proteinat dhe duhet të çlirohet përmes enzimave pankreatike, në mënyrë që të përthithet nga zorra e hollë. Kjo tregon pse shëndeti i sistemit tretës është kyç për marrjen e mjaftueshme të kësaj vitamine jetike. /Gazeta Shneta/


