Një studim i ri sugjeron se marrja e dozave më të larta të vitaminës D gjatë shtatzënisë mund të ketë përfitime afatgjata për zhvillimin e trurit të fëmijëve, duke përmirësuar kujtesën dhe aftësitë njohëse deri në moshën 10-vjeçare.
Vitamina D njihet kryesisht për rolin e saj në shëndetin e kockave, muskujve dhe sistemit imunitar, por kërkimet e fundit tregojnë se ajo mund të ndikojë edhe në funksionimin e trurit, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studime të mëparshme e kanë lidhur vitaminën D me uljen e rrezikut të depresionit, dëmtimit njohës dhe demencës.
Studimi, i publikuar në “JAMA Network Open”, analizoi të dhënat e 700 nënave dhe fëmijëve në Danimarkë.
Gratë shtatzëna morën ose një dozë të lartë prej 2,800 njësish ndërkombëtare (IU) vitaminë D3 në ditë ose dozën standarde prej 400 IU, duke filluar nga java e 24-të e shtatzënisë deri një javë pas lindjes.
Kur fëmijët mbushën 10 vjeç, studiuesit vlerësuan funksione të ndryshme njohëse, përfshirë kujtesën vizuale, kujtesën verbale, përqendrimin dhe shpejtësinë e reagimit.
Rezultatet treguan se fëmijët e nënave që kishin marrë dozën më të lartë të vitaminës D3 performuan më mirë në testet e kujtesës dhe fleksibilitetit mendor.
Ekspertët shpjegojnë se vitamina D luan rol në zhvillimin e neuroneve, prodhimin e substancave kimike të trurit si dopamina dhe serotonina, si dhe në mbrojtjen kundër inflamacionit dhe stresit oksidativ që mund të dëmtojë funksionin cerebral. /Gazeta Shneta/


