Rreth çdo gjashtë në 100 persona që infektohen me COVID-19 zhvillojnë gjendjen post-COVID, e njohur si “COVID i zgjatur”.
Aktualisht nuk ekziston një kurë për këtë gjendje dhe kushdo që infektohet me virusin mund ta zhvillojë atë. Studimet e mëparshme tregojnë se disa zgjedhje të jetesës, si ndjekja e një diete të shëndetshme, aktiviteti fizik dhe gjumi i mjaftueshëm, mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të COVID-it të zgjatur, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një studim i ri i publikuar në “The Journal of Nutrition”, zbuloi se suplementet e vitaminës D3 mund të mos ndikojnë në rëndësinë e infeksionit me COVID-19, por mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut për të zhvilluar COVID të zgjatur.
Studiuesit rekrutuan mbi 1,700 të rritur nga Shtetet e Bashkuara dhe Mongolia, të cilët kishin testuar pozitiv për COVID-19, si dhe 277 anëtarë të familjes që ishin ekspozuar ndaj virusit.
Pjesëmarrësit morën në mënyrë të rastësishme një suplement ditor me vitaminë D3 ose një placebo për katër javë, me fillim mesatar tre ditë pas testit pozitiv.
Simptomat e COVID-it të zgjatur mund të variojnë nga tre muaj deri në disa vjet dhe përfshijnë lodhje të vazhdueshme, probleme të frymëmarrjes, “mjegull mendore”, dhimbje koke, çrregullime të gjumit, dhimbje të nyjave, si dhe depresion dhe ankth.
“COVID i zgjatur vazhdon të ndikojë në jetën dhe cilësinë e jetës së miliona njerëzve në mbarë botën,” tha Dr. JoAnn Manson, autore e studimit.
Ajo shtoi se hulumtimet aktuale ofrojnë pak përgjigje mbi shkaqet, parandalimin ose trajtimin e COVID-it të zgjatur, duke bërë suplementin e vitaminës D3 një mundësi premtuese mbështetëse për shëndetin afatgjatë. /Gazeta Shneta/


