Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i është kundërpërgjigjur ashpër disa deputetëve opozitar në Kuvendin e Kosovës.
Çështja kishte të bënte me ligjin për çmimin e barnave.
“Pse nuk është bërë më herët Ligji për çmimin e barnave? Asnjë ligj gjatë gjithë qeverisë së PAN-it nuk është procedu. Me udhëzim administrativ nuk zgjidhet kjo çështje. Zgjidhet vetëm me ligj. Duhet t’i pysni për këtë çështje ministrat që i keni pasur.” – u shpreh z. Arben Vitia me bërtimë nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.
“Deputetë të nderuar, pres nga ju që secili nga ju, që ta miratojmë sepse kjo kursen dhjetëra mijëra euro të parave nga xhepat e qytetarëve…” – vazhdoi tutje ministri Vitia.
Ai përmendi edhe një kritikë nga ana e një deputeti opozitar për çështjen e OBSh-së. Po me zë të lartë, ai tha:
“Si mundet një ligjbërës të kërkojë nga ministri i Shëndetësisë që ta shkelë ligjin? Deputet, nuk e shkeli. A e dini pse? Ka kaluar koha kur deputetët vijnë e bëjnë presion në Ministri të Shëndetësisë për t’u shkelur ligjin.”
Ndërkohë, ai foli edhe për Ligjin e Pagave.
“Pyetni mjekët sa janë të kënaqur me Ligjin e Pagave. Pyetni mjekët. Se mu mjekët po më shkrujnë ndryshe. Dhe pyetni rajonin se si janë të rregulluar… edhe pastaj vijmë e diskutojmë.”
Arben Vitia është shquar për qetësinë e tij në komunikim deri tash. Vlen të thuhet se z. Bekim Haxhiu – deputet nga PDK-ja – i përmendi Vitisë dyshimet për një keqpërdorim 12 milionësh.
Vitia e pranoi se pati ton “emocional” para deputetit të PDK-së, z. Mërgim Lushtaku.