Ministria e Shëndetësisë para disa ditësh ka kontraktuar një kontingjent me materiale mbrojtëse për stafin mjekësor përmes një kontrate të negociuar e cila kapi koston afër 100 mijë euro. Në kuadër të kësaj kontrate u blen maska me çmim 8.50 euro.
Këto materiale që u blen nga MSH aktualisht janë në limitin e tyre dhe shumica do të shpërndahen në dy komunat ku janë regjistruar rastet e para me koronavirus, në Viti dhe Klinë. Kështu ka njoftuar ministri Dr. Arben Vitia, shkruan Gazeta Shneta.
Ai ka thënë se tashmë MSH ka nisur procedurën tjetër për blerje emergjente me 400 mijë eurot e ndara fillimisht për situatën me koronavirusin. Vitia ka thënë se kompanitë medicinale i kanë rritur çmimet e produkteve dhe për këtë janë në dijeni.
“Ngritja e çmimeve fatkeqësisht kemi hasur në një ngritje që për fat të keq disa nga operatorët e kanë shfrytëzuar këtë situatë. Mirëpo në momentin që i kemi identifikuar dhe po vazhdojmë t’i identifikojmë, sidomos në raport me procedura për blerjen nga MSH dhe SHSKUK, janë njoftuar organet përgjegjëse dhe ndaj të gjithë këtyre operatorëve do të merren të gjitha masat në bazë të legjislacionit në fuqi”, ka deklaruar Vitia në konferencën për media. /Gazeta Shneta/