Bujar Vitja, drejtor dhe kryeredaktor i Gazeta Shneta, në TV Dukagjini ka thënë se situata e COVID-19 në Kosovë nuk është nën kontroll.
Në Debat Plus me Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, Vitija ka replikuar duke thënë që nuk mund të thuhet që situata është nën-kontroll, kur sistemi shëndetësor është gati 4 ditë prapa me inforamta nga terreni.
“Mendojë se rritja e rasteve ka ndodhur pas fund-majit, në ditën kur kishim zero raste. Mendojë se u liruam shumë. Rritja ka qenë eksponenciale në fillim të qershorit, atëherë kur në krye të ministrisë erdhi ministri Zemaj. Përgjegjësia e menaxhimit bie mbi Ministrinë e Shëndetësisë, sikurse e paraqet ligji për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse. Ministri Zemaj është parë i angazhuar në vizita në komuna e spitale rajonale, por nuk e di se sa i kanë hyrë në punë këto vizita në menaxhimin e pandemisë”, u shpreh Vitija.
“Ne kemi nevojë për një ministër i cili angazhohet direkt në menaxhimin e kësaj pandemie. Ne nuk mund të themi se e kemi gjendjen nën kontroll, pasi nuk kemi informata se çfarë po ndodh në terren. Nëse i marrim të dhënat e testeve katër ditë me vonesë nga terreni, do të thotë që jemi vonë me informata nga situata reale”, u shpreh Vitija.
Ky i fundit shtoi se gjendja në Klinikën Infektive nuk është aspak e mirë.
“Kemi pacientë që ende pa dalë negativë duhet të largohen nga Klinika Infektiva, për t’iu lejuar vendin pacientëve të tjerë”.
Ministri Zemaj ka arsyetuar vizitat e tij në komuna dhe spitale rajonale, për të funksionalizuar spitalet rajonale për pranimin e pacientëve me COVID-19.
“Për mua të gjitha komunat e Kosovës janë të barabarta. Mund të ketë interpretime politike, por për mua të gjitha janë të njëjta. Vizitat e kanë vetëm këtë qëllim”, u shpreh Zemaj. /Gazeta Shneta/