Për ditën ndërkombëtare të mamive, roli i tyre në Kosovë është vlerësuar mjaft, por ato janë kritikuar ashpër për sjelljet e tyre ndaj nënave gjatë procesit të lindjes
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Mamive, sot është mbajtur një tryezë diskutimi “Mamitë për një shërbim me efikas në Obstetrikë dhe Gjinekologji” e organizuar nga Grupi i Grave Deputete në bashkëpunim me Shoqatën e Mamive të Kosovës.
Kryesuesja e Grupit të Grave Deputete, deputetja Mexhide Mjaku Topalli, ka vlerësuar rolin e mamive duke thënë se ato janë personeli kyç për arritjen e objektivave kundër vdekshmërisë së foshnjave. Ajo ka shprehur shqetësimin për mbylljen e materniteteve nëpër komuna, me arsyetimin e numrit të vogël të lindjeve.
Deputetja Besa Baftiu, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Shëndetësi, e ka quajtur profesion të shenjtë maminë, por ka kritikuar ashpër sjelljet e disa prej tyre ndaj nënave gjatë lindjes.
Gjatë tryezës është shfaqur edhe një dokumentar për profesionin e mamisë. Dokumentari ndonëse u kritikua për disa gabime profesionale në fushën trajtimit të pacienteve, prezantoi në mënyrë ideale sjelljen e një mamie.
“Kjo do të ishte ideale nëse ndodh kështu, por a marrin këtë shërbim të gjitha gratë, unë po besoj që jo. Do të doja të ishte e pranishme edhe ndonjë grua që ka kaluar në këtë proces dhe të na tregoj se si ka kaluar”, ka deklaruar Baftiu.
“Etika e sjelljes mungon të disa mami dhe jam dëshmitare vet. Nëse i themi nënës se e mbyte foshnjën, jepi më shpejt…kjo është traumë për nënën. Kërkoj nga ju si shoqatë që t’i adresoni këto, të kenë kujdes në gjuhën që përdorin ndaj nënave”, ka shtuar deputetja.
Edona Hajrullahu zëvendësavokate e popullit, ka deklaruar se roli i mamive duhet të fuqizohet brenda institucioneve përkatëse dhe të kenë një përshkrim të punës në mënyrë që t’i dijnë kompetencat e veta.
Magbule Elezi, kryetare e Shoqatës së Mamive të Kosovës, ka deklaruar se edhe mamitë kanë nevojë për përmirësime si në aspektin profesional ashtu edhe moral. Ajo ka kërkuar bashkëpunim me institucionet që të avancohen kushtet e mamive nëpër maternitete.
Shefqet Lulaj, kryetar i Shoqatës së Gjinekologëve dhe Obstetërve, ka deklaruar se mamitë janë të vjetra sa edhe vet njerëzimi. Ai ka bërë të ditur se në hartimin e strategjisë për vitin 2021, është paraparë mbyllja e të gjitha materniteteve për shkak të numrit të vogël të lindjeve.
Deputetja Ganimete Musliu u shpreh optimiste për përmirësimin e shërbimeve në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ndërsa kritikoi mosprezëncën e ministrit Uran Ismaili, i cili ishte i ftuar në këtë tryezë.
Ndërkaq drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë, Myrvete Paçarada, kërkoi më shumë vëmendje nga gratë deputete.
“Juve deputeteve po ju shohim veç në TV dhe duam t’ju shohim më shumë në mesin tonë sepse shumë shpejt ju vjen koha me kërku votën”, ka thënë ajo.
Paçarada theksoi se klinika të cilën e udhëheq, por i bart pasojat e spitaleve private në shumë raste. Ajo kërkoi nga deputetet që një pjesë e parave që nënat paguajnë për lindje në spitale private, t’i shkojë në llogari QKUK-së kur ka raste të komplikuara.
“Nëse një lindje fillon në spital privat dhe përfundon tek ne, bile t’i marrim ne gjysmën e pareve. Sepse krejt pisllëqet po na mbesin neve”, ka deklaruar ajo.
Gratë deputete pritet që të hartojnë disa rekomandime në lidhje me maternitetet nëpër komuna të Kosovës. /Gazeta Shneta/