Sipas studiuesve të Rutgers Health, yndyra në zonën e abdomenit ndikon më thellësisht në shëndetin e trurit dhe funksionet njohëse tek meshkujt e moshës së mesme me rrezik të lartë për sëmundjen Alzheimer, krahasuar me gratë.
Studimi, i publikuar në revistën “Obesity” përfshiu 204 të rritur të shëndetshëm, me rrezik të lartë për sëmundjen Alzheimer, shkruan burimi Medical Xpress.
Studiuesit matën depozitat e yndyrës në pankreas, mëlçi dhe bark përmes rezonancës magnetike (MRI), dhe zbuluan se këto depozita lidhen me vëllimin e trurit dhe performancën kognitive, transmeton Gazeta Shneta.
Tek meshkujt me rrezik të lartë, niveli i lartë i yndyrës në pankreas shoqërohej me ulje të aftësive mendore dhe tkurrje të trurit – një lidhje që nuk u vërejt tek femrat.
Obeziteti dihet si faktor rreziku për rënie kognitive dhe demencë, por ky studim thekson se ndikimi mund të jetë i ndryshëm mes gjinive.
Studimi gjithashtu vë në pikëpyetje përdorimin e indeksit të masës trupore (BMI) si tregues i vetëm i rrezikut. Sipas studiuesve, BMI nuk reflekton saktë shpërndarjen e yndyrës në trup dhe nuk merr parasysh dallimet gjinore.
Gjetjet nënvizojnë rëndësinë e shqyrtimit të depove specifike të yndyrës dhe rolit të tyre në plakjen e trurit dhe funksionin njohës. /Gazeta Shneta/


