Një studim i ri amerikan konfirmon se për të ruajtur mprehtësinë mendore gjatë plakjes, është thelbësore të ushqehemi mirë, të jemi fizikisht aktivë dhe të stimulojmë rregullisht trurin.
Studimi, i publikuar në “JAMA”, tregon se të moshuarit që ndjekin një kombinim zakonesh të shëndetshme arrijnë rezultate në testet kognitive si të ishin një ose dy vjet më të rinj, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Në studim morën pjesë persona në të 60-at dhe 70-at, të cilët ushtronin aktivitet fizik me intensitet mesatar katër herë në javë, përfshirë ushtrime të shtrirjes dhe forcimit. Krahas aktivitetit fizik, pjesëmarrësit ndoqën dietën “MIND”, e cila thekson perimet me gjethe jeshile, frutat e malit, drithërat integrale, peshkun dhe pulën, ndërsa kufizon mishin e kuq, ushqimet e skuqura dhe sheqernat.
Përveç dietës dhe ushtrimit, pjesëmarrësit angazhoheshin edhe në stimuj mendorë përmes një programi online dhe merrnin pjesë në aktivitete sociale, duke ushqyer një mënyrë jetese të balancuar.
Grupi që mori mbështetje më të madhe tregoi përmirësime të qarta në funksionin kognitiv krahasuar me grupin kontrollues.
Studiuesit theksojnë se kombinimi i ushtrimeve fizike, ushqimit të shëndetshëm dhe stimulimit mendor është kyç për ruajtjen e funksionit të trurit dhe për një plakje më të shëndetshme.
Pjesëmarrësit synojnë të vazhdojnë me këto zakone, pasi përfitimet janë të dukshme fizikisht, mendërisht dhe emocionalisht.
Hulumtimi do të vazhdojë edhe për katër vite të tjera për të vlerësuar ndikimin afatgjatë të këtij qasjeje të gjithanshme. /Gazeta Shneta/


