Unë edhe pse nuk di të shkruaj si një shkrimtar, sot dua të tregoj një storie suksesi për disa heronj e heroina të fshehur. Janë ata që durojnë sharjet dhe ofendimet tona dhe mundohen të na kuptojnë. Mbase, kjo edhe i bën më humanë dhe më të kuptueshëm.
Dua të flas për disa heronj të heshtur që bëjnë punën e tyre me ndershmëri dhe përkushtim-mjekët dhe infermierët e Klinikës së Oftalmologjisë në Spitalin e Mitrovicës.
Ata janë stafi që më së shumti i përkushtohen punës me vullnet. Secili ka një sjellje më tê bukur se tjetri. Na presin me buzëqeshje edhe pse ne i thejmë rregullat. Hyjmë nga 5 persona për të vizituar një të sëmurë dhe ndiqemi mes vete si maca me miun. Ne futemi në dhomë ata futen pas nesh e na lusin të dalim. Ne bëjmë sikur po dalim e futemi prapë. Kêshtu kalon dita ne nuk ua kuptojmë profesionin e tyre, nuk e dijmë sa mikrobe mund t’i përcjellim te pacientët ndërsa ata përpiqen ta kuptojnë ndjeshmërinë, dhimbjen dhe dëshirën që kemi për t’u qëndruar afër të dashurve tanë.
Këta njerëz janë si engjëj. Nuk bëhen nervoz kurrë.
Dr. Mimoza me një buzëqeshje dhe mirësjellje shembullore i pret pacientët si të ishin familjarët e saj. Ndërsa Dr.Feridi është gjithmonë me humor, sikur të mos kishte asnjë gajle a dert tjetër. Lum si këta!
Infermierët janë të shkëlqyer. T’ua shohësh sjelljet e tyre me pacientët, sikur me prindërit e tyre. Bile, disa pacientë trajtohen më mirë këtu sesa në shtëpitë e tyre. Sa me kujdes ua vendosin fashat, ua vendosin pikat në sy…
Ata janë të kujdesshëm vijnë edhe në pikë të natës t’i vizitojnë pacientët e tyre. Njëri nga infermierët erdhi në mes të natës me xhentilencë i kërkoi një pacientit të shtyhej më andej cepit të krevatit sepse ishte afër të binte. Jo, këtë nuk e ka për detyrë. Kjo është humanizëm.
Me aq sa kisha para të vogla në xhep, bleva një kilogram portokalle si shenjë respekti ndaj punës së tyre. Ia ofrova njërit nga infermierët dhe ai refuzoi:”Kjo është obligim yni!”. U gëzova sepse vërtetë kemi dëgjuar tregime të ndryshme. Ndoshta disa edhe të sajuara për mjekët dhe infermierët tanë.
Ky staf i mrekullueshëm padyshim që është një storie që nuk do ta dëgjoni e shihni shpesh në media. Sepse ne jemi të prirur të ndjellim keq. Por jo sot. Jo nga unë. E vlerësoj lart përkushtimin dhe dashurinë e tyre për profesionin dhe njerëzit dhe lutem që Zoti të më takojë sa më shpesh me njerëz të tillë!
Liridon Kurti
17.01.2020
Spitali Regjional i Mitrovicës